Ambasada amerikane falënderon Palmerin për vizitën në Kosovë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka falënderuar zëvendës ndihmës sekretarin, Matthew Palmer, për vizitën disa ditore në Kosovë dhe takimet produktive me liderët kosovarë.
Në një publikim të kësaj ambasade në Twitter, Palmer është falënderuar edhe për kontributin e tij në rinisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
“Faleminderit zëvendësndihmës sekretarit të shtetit, Matthew Palmer për vizitën e tij, takimet produktive me liderët kosovarë, përsëritjen e partneritetit në mes të dy vendeve dhe rinisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga BE-ja” – thuhet në publikimin e Ambasadës Amerikanë në Twitter.
Kujtojmë se Palmer po vazhdon të qëndrojë në Kosovë, në kuadër të një vizite disa ditore, të cilën e realizoi bashkë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Gjatë një konferencë për media që u mbajtën dje, Palmer tha se qëllimi kryesor i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe se SHBA nuk do të gjejë kompromise për arritjen e një marrëveshje finale, pasi një gjë e tillë u takon Prishtinës dhe Beogradit.























