Nuk miratohet rezoluta për arsimin e propozuar nga PDK-ja
BKT
Lajme

Nuk miratohet rezoluta për arsimin e propozuar nga PDK-ja

Deputetët e Kuvendi të Kosovës nuk e kanë miratuar rezolutën për arsimin të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Nënkryetarja e Kuvendi, Saranda Bogujevci, ka thënë se kjo rezolutë nuk kalon pasi ka 27 vota për dhe 50 vota kundër dhe asnjë abstenim.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, e cila e ka propozuar këtë rezolutë, ka thënë se një iniciativë e tillë që është nisur nga ata do të duhej të fillonte të trajtohej nga Qeveria dhe jo të ketë kritika rreth diskutimit të saj në Kuvend.

Deliu ka propozuar të gjitha pikat e kësaj propozim-rezolute, të cilat janë si në vijim:

Kuvendi obligon Qeverinë e Kosovës që të ndajë buxhet për mbështetje financiare shtesë mbi pagën bazë të personelit të institucioneve të nivelit të arsimit parauniversitar në shumën prej 100 euro për muajin prill, maj dhe qershor 2021. Obligon Qeverinë e Kosovës që të rrisë mbështetjen për mësuesit dhe prindërit në mënyrë që ata t’i ndihmojnë fëmijët për të mbetur të angazhuar në shkollë.

Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të hartojë planin për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë verës bazuar në një plan për mësim intensiv të natyrës së shkollave verore që duhet të koncetrohet në lëndët kryesore për të kompensuar kështu humbjet e të nxënit të fëmijëve, veçanërisht për ata që rrezikojnë të mbesin prapa. Obligon Qeverinë që pas marrjes së opinionit të IKSHPK-së nga e hëna mësimi të kthehet me orar të plotë dhe të rregullt.

Obligon Qeverinë që deri më 1 shtator të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit në të gjitha nivelet, duke përfshirë institucionet publike dhe private, në mënyrë që të jemi të përgatitur për fillim të vitit shkollor 2021/2022. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të zhvillojë programe trajnuese për të përmirësuar aftësitë digjitale rreth mësimdhënies në distancë të mësuesve.

Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të ndajë mjete financiare shtesë për komunat të cilat kanë nevojë me qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe masave mbrojtëse dhe parandaluese nga virusi COVID-19 në institucionet edukativo-arsimore.

Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të ndajë mjete financiare shtesë për institucionet publike të arsimit për qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe masave mbrojtëse dhe parandaluese nga virusi COVID-19 në hapësirat universitare.
Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të udhëzojë institucionet e arsimit të lartë që të hartojnë plane dhe udhëzues për përmirësimin e organizimit të arsimit sipas specifikave të fushave përkatëse studimore.

 


MË SHUME NGA Lajme