Lekaj: E gjithë kjo situatë ka filluar dhe po vazhdon gabimisht
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se Kosova qeveriset nga një parti politike që ka deklaruar se parim i ka interesat sociale, ndërsa sot i gjobitë qytetarët për disa javë me radhë nga vendime anti-kushtetuese.
Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj në seancën për faljen e gjobave ndaj bizniseve gjatë pandemisë, tha është absurde që të diskutojmë nëse duhet ose jo të falen gjobat ndaj bizniseve kur dihet se gjatë pandemisë, tubimet politike ishin vatër e infeksionit gjatë fushatës zgjedhore.
“Sot ne udhëhiqemi nga një parti që na i thotë vetes që parim i ka interesat sociale të popullit tonë të varfër. Është e njëjta parti politike nga e cila u gjobit populli për disa javë rresht nga vendime anti-kushtetuese, gjoja se virusi zhduket për disa qindra gjoba që vendosin policët nëpër rrugët e qyteteve tona”, thotë Lekaj, raporton EO.
“E gjithë kjo histori filloi gabim, vazhdoi gabim, fajin për të cilin e kemi edhe ne, dhe a duhet këtë ta vazhdojmë deri në pakufi, a duhet që të vazhdojmë këtë zhvatje ndërkohë që ne jemi këtu, kemi qenë nga ata që në mënyrë të vazhdueshme kemi kontribuar nga dita në ditë për të shkelur çdo nen të Ligjit mbi pandeminë, dhe sa nga ne jemi dënuar, asnjë”, tha Lekaj.























