1:0 për Armin Laschet

1:0 për Armin Laschet

CDU arriti në zgjedhjet e landit Saksoni-Anhalt një fitore mjaft bindëse. Rezultati zgjedhor tregon: AfD mund të humbasë edhe në Lindjen gjermane, shkruan Rosalia Romaniec.

Frika ishte e madhe. Në sondazhet e fundit parazgjedhore, partia e orientuar djathtas, AfD qëndronte shumë pranë partisë CDU, një herë madje ajo ishte edhe kryesuese. Një fitore e partisë "Alternativa për Gjermaninë" do të kishte shënuar një pikë kthese dhe me këtë edhe një sinjal fatal pak muaj para vendimeve zgjedhore në federatë. Por ky skenar i frikshëm doli si një mirazh i populistëve të djathtë. CDU tregoi, se ajo mund të mobilizojë. Për demokracinë dhe kundër AfD.

Mbështetje për kandidatin e CDU për kancelar

Më shumë se 37% për CDU - shumë më tepër se e kishin parashikuar të gjitha sondazhet. Një marrje frymë lirisht në kor e kristiandemokratëve, sidomos në rrethin e kandidatit për kancelar, Armin Laschet. Fitorja e qartë në Saksoni-Anhalt i jep atij mbështetjen, për të cilën ka aq nevojë urgjente në federatë. Që CDU madje e zgjeroi pushtetin e saj në landin Saksoni-Anhalt, mund të ketë madje një efekt sinjalizues. Në Lindjen gjermane partitë popullore duhet të luftojnë me erozionin. Në Saksoni-Anhalt mund të shikosh, që ai mund të ndalet. Pikërisht për këtë ka nevojë me urgjencë CDU, për të fituar pikë të qëndrueshme tek elektorati në të gjitha landet lindore, kundër AfD.

Lëvizje rezultatesh tek partitë e tjera

Një vështrim tek partitë e tjera tregon zhvillime interesante. Para pesë vjetësh,  partia liberale FDP doli nga parlamenti i landit Saksoni-Anhalt. Por tani me një rezultat më shumë se 6%, ajo mund të zëvendësojë edhe të Gjelbrit në një koalicion të mundshëm qeverisës. Pikërisht liberalët u tregojnë Të Gjelbërve kufijtë e veprimit, të paktën në Lindje. Të Gjelbrit kanë bashkëqeverisur në Saksoni-Anhalt, tani ata rrezikohen të dalin nga koalicioni.

Edhe e Majta ka humbur vota në këtë land. Vërtet që partia postkomuniste me 11% mbetet në një rezultat dyshifror, por AfD ka dyfish më shumë vota dhe ngadalë po e zëvendëson të majtën si "partia e lindjes". Zhgënjimi tjetër i këtyre zgjedhjeve lidhet me socialdemokratët dhe është për t'u shënuar. Partia e dikurshme e punëtorëve dhe parti popullore humb terren politik pikërisht në Saksoni-Anhalt, landin me dobësi strukturore. Një mbrëmje e hidhur për SPD.

Kurse po të hedhësh vështrimin tek CDU-ja është e qartë: Suksesi nuk është meritë e kryetarit të CDU-së dhe kandidatit për kancelar, Armin Laschet. Ai shkon në llogarinë e babait popullor të landit, Reiner Haseloff. Ishte pikërisht ky që nuk e donte Laschet as si kandidat për kancelar. Në Saksoni-Anhalt si në lande të tjera lindore preferohej konkurrenti jokomod nga Bavaria, Markus Söder. Por Haseloff nuk u dëmtua nga angazhimi i fuqishëm i Laschet në fushatën zgjedhore në Saksoni-Anhalt. Edhe kaq gjë do mund të quhej sukses: Një CDU e riforcuar i jep mbështetjen e nevojshme kandidatit, që duhet të mbrohet nga imazhi, se do të vazhdojë politikën e Angela Merkelit. Dhe e pajton Laschet edhe më shumë me Lindjen.

Me më shumë shanse për t'u votuar

Laschet dëshiron të bëjë për vete votuesit e qendrës dhe në të njëjtën kohë të rifitojë ata që e duan Unionin edhe më konservator. Deri më tani kandidati për kancelar i ka vendosur kufirin retorikës me tone të djathta, por u ka lënë hapësirë edhe atyre që lëvizin në zonën gri. Kjo ishte edhe taktika e Reiner Haseloff dhe ajo funksionoi. CDU u perceptua si më luftarake dhe kjo e bën edhe më të votueshme. Konservatorët e djathtë brenda Unionit po bëhen me krahë. Si fillim ata mund të ëndërrojnë. Deri në zgjedhjet e Bundestagut duhet të ndjehen të adresuar sa më shumë votues. Më pas, në varësi të partnerit të koalicionit, letrat do të përzihen sërish./DW