​Vitia takohet me përfaqësuesit e FMN-së
BKT
Lajme

​Vitia takohet me përfaqësuesit e FMN-së

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe sekretari i Përgjithshëm Naim Bardiqi kanë takuar sot përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryesuar nga Gabriel Di Bella, shefi i Misionit për Kosovën.

Gjatë këtij takimi, ministri Vitia informoi ekipin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për situatën rreth COVID-19, procesin e vaksinimit në masë, arritjen e marrëveshjes me prodhuesin Pfizer dhe plane të tjera të cilat ishin në interes të këtij grupi.

Ndërsa Di Bella shprehu mirënjohjet e tij për uljen e rasteve të infektimit dhe përmirësimit të situatës epidemiologjike në Kosovë dhe konfirmuan edhe një herë bashkëpunimin e FMN-së.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 21 raste pozitive me COVID-19, nga 2114 testime dhe një rast i vdekjes. Sot janë shëruar 111 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 104.454. Në total numri i rasteve aktive është 832.

Po ashtu, është njoftuar se në 24 orët e fundit janë dhënë 2.753 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 86.489 doza të vaksinës.


MË SHUME NGA Lajme