Osmani i kërkoi dorëheqjen Dakës dhe i premtoi mirënjohje presidenciale
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, të dorëhiqet nga pozita e saj në këtë institucion dhe në këmbim do të nderohej me një mirënjohje.
Këtë kërkesë Osmani ia ka bërë Dakës në takimin e mbajtur sot në Presidencë, shkruan Reporteri.
Mësohet se kërkesa e Osmanit ishte që Daka të dorëhiqet nga posti i saj në krye të KQZ-së, e në këmbim të kësaj do të merrte një mirënjohje nga Presidentja.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se Daka e ka refuzuar kërkesën e Osmanit, duke deklaruar se detyrën e saj e ka kryer në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Valdete Daka është emëruar kryetare e KQZ-së më 27 prill të vitit 2018 nga ish-Presidenti Hashim Thaçi, ndërkaq mandati i saj është 5-vjeçar, që domethënë përfundon në vitin 2023.
Ky është mandati i dytë i Dakës në krye të KQZ-së.























