Ramë Manaj: E dimë se Odaloviç fshehë të dhëna për varrezat masive
Gjatë takimit të së martës në Bruksel, kryeministri i vendit Albin Kurti, kërkoi që të largohet nga delegacioni serb Veljko Odaloviç, kryetar i Komisionit për Personat e Zhdukur në Qeverinë e Serbisë.
Por si ishin raportet mes Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ramë Manaj dhe kryetarit të Komisionit për Personat e Zhdukur në Qeverinë e Serbisë, Veljko Odaloviç?
Ramë Manaj ka thënë se pavarësisht korrektësisë në takime, Veljko Odaloviç ka qenë pjesë përbërëse e nomenklaturës së Millosheviqit dhe se e di që ai fshehë të dhëna.
“Në katër muaj sa kam qenë në krye te komisionit vetëm një takim kemi pasur në Kosovë. Me takime ai ka qenë korrekt por është thjeshtë pjesë e nomenklaturës së kohës së Millosheviqit, e dimë se fshehë të dhëna, nuk i tregon ato, kërkon më shumë sesa që ofron bashkëpunim në kuptim të qasjes në varrezat eventuale të dyshimta. Kjo është çasja e ushtrisë së Millosheviqit, s’mund të jetë ndryshe, por i tillë është edhe Vuqiçi”, ka thënë Manaj.
Manaj ka thënë se edhe nëse largohet Odaloviçi, problemi më i madh mbetet Vuqiçi.
“Edhe nëse e largojnë Odaloviçin problemi më i madh është tek Vuçiqi se sa tek Odaloviqi. Me u largu ai dhe me ardhë dikush më korrekt do të ishte shumë mirë”, ka thënë Ramë Manaj.
Veljko Odaloviç ishte një nga anëtarët themelues të Partisë Socialiste të Serbisë, të Slobodan Millosheviqit dhe ka mbajtur pozita të larta në Kosovë, si pjesë e regjimit të Millosheviqit në vitet e 90’ta.
Puna e tij e fundit në Kosovë ishte si Shef i Qarkut të Prishtinës për Republikën e Serbisë, në vitet 1998 dhe 1999, gjatë së cilës kohë shumica e njerëzve që llogaritën si të humbur kanë kaluar nëpër hierarkinë komanduese të tij. /Gazeta inFokus/























