OIK ndanë mirënjohje për infermierët e Shtimes

OIK ndanë mirënjohje për infermierët e Shtimes

Infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë të Shtimes, janë nderuar me një mirënjohje nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësorë, me rastin e Ditës së Shëndetësisë së qytetit të Shtimes.

Kryetari i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, Naser Rrustemaj, ka ndarë një mirënjohje për infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë të komunës së Shtimes.

Mirënjohja është ndarë me rastin e shënimit të Ditës së shëndetësisë në komunën e Shtimes. Rrustemaj, ka thënë se kjo mirënjohje iu dedikohet anëtarëve të OIK-ut në Komunën e Shtimes për kontributin e madh që kanë dhënë gjatë periudhës së pandemisë Covid 19. Mirënjohjen e Odës së Infermierëve e ka pranuar drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime.

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, i cili uroi të gjithë mantilbardhët dhe qytetarët e komunës së Shtimes për Ditën e Shëndetësisë. “Sot është një ditë e veçantë historike për qytetin e Shtimes ngase mjekët dhe infermierët e luftës filluan punën në ish-objektin e Shtëpisë së Shëndetit në Shtime. Falë gjakut të dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë, sot shënojmë 22-vjetorin e Ditës së Shëndetësisë në komunën tonë”, ka thënë Ismajli.

Ndërkaq Musa Baftiu, Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Shtimes, ka thënë se ofrimi i kujdesit shëndetesor ka qenë sfidë si në luftë ashtu dhe në paqe dhe vazhdon të jetë i tillë. “Është e ndjeshme të kemi jetën e njeriut në dorë, aq më shumë kur kemi të freskët kujtesen e vitit të fundit kur kaluam një situatë jo pak të lehtë me pandeminë”, ka thënë Baftiu.


MË SHUME NGA Aktuale