Poetja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin “Leonardo da Vinci 2021”
BKT
Kulturë

Poetja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin “Leonardo da Vinci 2021”

Një tjetër vlerësim prestigjioz për poeten dhe shkrimtaren shqiptare me banim në Itali Irma Kurti: nderohet me çmimin “Leonardo da Vinci 2021” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Lecce.

E themeluar në vitin 1994 për të promovuar artin, artistët dhe letërsinë jo vetëm në Itali, por edhe në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare “Chimera” përfaqëson një realitet kulturor që me kalimin e viteve ka ardhur duke u përforcuar edhe në sektorë të tjerë. Çmimi u jepet artistëve italianë dhe të huaj, të cilët punojnë dhe kontribuojnë në çdo sektor të artit.

Anëtarët që zgjedhin dhe vlerësojnë kandidaturat janë: Presidentja e Shoqatës, doktoresha Anna Maria Gentile, botuese dhe regjisore, Raffaele De Salvatore, gazetar, drejtor i revistës Euroarte, Stefano Tomà i nominuar “Cavaliere dell’Arte” nga Institute Artistique et Litterarie de France, doktoresha Alessandra Mazza, kritike arti e të tjerë.

Irma Kurti ka botuar njëzet e dy libra në gjuhën shqipe, pesëmbëdhjetë në italisht dhe katër në anglisht. Veprat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të tjera.

Në 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në 2021 nderohet me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali./diasporashqiptare/


MË SHUME NGA Kulturë