Chiellini: U ndala në kohën e duhur, për të shmangur një dëmtim të rëndë
Italia vijon të bëjë mirë dhe ka siguruar kalimin për në fazën e 1/8-ave të Euro 2020-ës, pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para në grup, megjithatë ndaj Zvicrës nota e vetme negative ishte dëmtimi i kapitenit Giorgio Chiellini.
Ky i fundit la fushën e lojës pas 25 minutash ndaj helvetëve, për shkak të një problemi në këmbë dhe tashmë u është nënshtruar të gjithë ekzaminimeve mjekësore, por ende nuk ka një datë të saktë për rikthimin në fushë.
Vetë Chiellini shfaqet optimist dhe pranon se dalja në kohë ka bërë që të shmangë një dëmtim më të rëndë, teksa thekson se me disa ditë pushim, do të jetë në gjendje të japë sërish kontributin e tij në fushën e lojës në këtë Europian.
“Për fat jam shumë mirë dhe nuk ndjej dhimbje. Besoj që me pak ditë pushim, do të jem gati të luaj sërish këtë Europian. Eksperienca më ka bërë që të ndalem në momentin e duhur, për të mos rrezikuar një dëmtim më të rëndë”, deklaroi Chiellini.
Roberto Mancinit do t’i duhet të bëjë pa kapitenin e tij në ndeshjen ndaj Uellsit, por shpreson ta ketë gati që për fazën e 1/8-ave, ose maksimumi për çerekfinalet, nëse do të arrijë të shkojë deri atje.























