Kosova dhe Bosnja, në mesin e vendeve që do të përfitojnë vaksina nga SHBA

Kosova dhe Bosnja, në mesin e vendeve që do të përfitojnë vaksina nga SHBA

Shtëpia e Bardhë paraqiti të hënën planin e saj për shpërndarjen e 55 milionë dozave të vaksinave kundër sëmundjes COVID-19.

Në mesin e vendeve përfituese gjenden edhe Kosova dhe Bosnje e Hercegovina.

“Derisa vazhdojmë të luftojmë pandeminë COVID-19 në shtëpi dhe të punojmë për t'i dhënë fund pandemisë në të gjithë botën, presidenti [Joe] Biden ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do të jenë arsenal i vaksinave për botën”, tha përmes një deklarate Shtëpia e Bardhë.

Nga 55 milionë doza, 41 milionë do të shpërndahen përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, rreth 14 milionë do të shkojnë në Amerikën Latine dhe Karaibe, 16 milionë në Azi dhe 10 milionë në Afrikë.

Pjesa e mbetur do të shpërndahet në bazë të “përparësive rajonale” në vende si Kolumbia, Argjentina, Irani, Ukraina, Bregu Perëndimor dhe Gaza.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina do t’i marrin vaksinat nga shpërndarja e drejtpërdrejtë.

Nuk është e qartë se sa vaksina saktësisht do të përfitojnë këto dy vende dhe kur do të arrijnë ato.

 


MË SHUME NGA Aktuale