Shtëpia e Bardhë njofton për ndarjen e vaksinave, në listë edhe Kosova

Shtëpia e Bardhë njofton për ndarjen e vaksinave, në listë edhe Kosova

Përmes një deklarate të publikuar në uebfaqen zyrtare, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për shpërndarjen e miliona dozave të vaksinës për Covid-19 në mbarë botën, duke e përmendur edhe Kosovën në listën e shteteve që do të përfitojnë nga ky plan.

“Sot, Administrata Biden-Harris njofton për listën shpërndarëse për 55 nga 80 milionë dozat nga rezervat e Amerikës që Presidenti Biden është zotuar se do t’i ndajë deri në fund të qershorit në shërbim të përfundimit të pandemisë në nivel global”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

“Përafërsisht 14 milionë – ose 25 për qind e këtyre 55 milionë vaksinave – do të ndahen ne prioritetet rajonale dhe marrësit e tjerë”, thuhet në paragrafin ku, në mesin e shumë shteteve, përmendet edhe Kosova, shkruan Gazeta Express.

“Ndarja e miliona vaksinave të ShBA-së me shtetet e tjera jep shenjë për një zotim të madh nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara”, thuhet më tej në deklaratë.

“Për të gjitha këto doza, ata që janë më së shumti në rrezik, si punëtorët shëndetësorë, duhet të jenë prioritet, duke u mbështetur në planet kombëtare për vaksina”, theksohet në deklaratë.

Sipas njoftimit, sasia e saktë e dozave për shtetet veç e veç do të përcaktohet në bazë të parametrave logjistikë, rregullues dhe kritereve të tjera që vlejnë veçanërisht për secilin rajon dhe shtet.

Në mesin e shteteve ballkanike që do të përfitojnë nga këto doza, përpos Kosovës, është edhe Bosnja, por jo edhe ndonjë vend tjetër i rajonit. Në listë janë kryesisht shtetet e varfra nga Afrika, Azia, Amerika Jugore dhe Evropa Lindore. Aty janë përfshirë edhe Jemeni e Gaza, vende që janë goditur edhe nga kriza e pasigurisë, përpos pandemisë e varfërisë.

Qeveria e ShBA-së njoftoi se rreth 16 milionë doza do të ndahen për shtetet aziatike dhe disa vende të Rajonit të Paqësorit, ndërsa rreth 14 milionë të tjera për shtetet e Amerikës Jugore dhe Amerikës së Mesme.