Diskutohet rekomandimi për shkarkimin e bordit të RTK-së
BKT
Lajme

Diskutohet rekomandimi për shkarkimin e bordit të RTK-së

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar Rekomandimet e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere në lidhje me shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Aty u kërkua që të: Të iniciohet shkarkimi i Bordit, për shkak të paaftësisë profesionale; Bordi të jetë personalitet me integritet të lartë profesional dhe etik dhe të bëhet plotësim- ndryshimi i ligjit për RTK-në.

Nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku ka thënë se të gjeturat nga Komisioni për Buxhet nuk janë evidente që të iniciohet një shkarkim i këtij Bordi, raporton EO.

Lushtaku po ashtu ka pranuar se RTK nuk është në formën më të mirë, por ka thënë se shkarkimi nuk duhet të bëhet për çështje politike.

“Rekomandimi im është që mos të iniciohet një shkarkim i tillë për arsye politike. Mbetet në kompetencën e deputetëve që të vendosim për një shkarkim të tillë. RTK ka ngecje të mëdha por të gjeturat nuk kanë qenë aq evidente për një shkarkim të tillë. Jam dakord që të ketë ndryshime në Ligjin për RTK-në sidomos në aspektin menaxherial”.

“Nuk ka kritere që e bëjnë një mbikqyrje të mirë. Ka mangësi në RTK sidomos në raportimin lidhur me buxhetin. E shohim që ka vullnet për shkarkim, ne e dimë që këto po bëhen për çështje politike”, është shprehur Lushtaku.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë rekomandimet e Komisionit për Buxhet japim mjaft detaje dhe tregojnë që Bordi i RTK-së ka shkelur nenin 28 e 29 të Ligjit.

“Nga Komisioni për Buxhet kemi një rekomandim mjaftë të detajuar ku janë gjetur shkelje ligji përkatësisht nenit 28 dhe 29 nga Bordi i RTK-së. Jam e bindur që nuk ka kritere për emërimin e antëtarëve të Bordit”, është shprehur ajo.

Kurse, anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Agim Veliu ka thënë rekomandimi për shkarkim po bëhet tërësisht politik me qëllim të kapjes së mediumit publik.

“Për mendimi tim nuk është bërë një vlerësim i duhur i Bordit. Ky rekomandim është tërësisht poltik me qëllim të kapjes së një mediumi që duhet të jetë i pavarur”.

“Rekomandimit e Komisionit nuk janë bindëse. Është tërësisht një veprim politik. Ju e keni shumicën mund ta bëni por për mua kjo formë është e papranueshme” është shprehur Veliu.

Besim Muzaqi ka thënë se në këto pika të rekomanduara nga komisioni ka arsye të qëndrueshme për shkarkim të Bordit të RTK-së.

“Ky Bord ka dështuar totalisht. Situata është kristal e qartë, RTK-ja ka pasur një Bord që ka keqmenaxhuar dhe qytetarët meritojnë një bord krejt tjetër nga ky”.

“Rekomandoj të shkojmë drejtpërdrejt në votim”, ka thënë Muzaqi.


MË SHUME NGA Lajme