Bordi i RTK-së e quan politik dhe pa fakte rekomandimin për shkarkim të tij
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) e ka vlerësuar inicimit për shkarkimin e tij si politik dhe të pabazuar mbi, siç është thënë të vërtetat faktike.
Bordi i RTK-së ka reaguar pas rekomandimit të sotëm të Komisionit për Administratë Publike, Pushtetit Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkim. Vendimi për shkarkim apo jo do të merret në një seancë të radhës të Kuvendit të Kosovës.
“Bordi i RTK-së ka argumentuar dhe faktuar në secilin raportim të komisioneve përkatëse të gjitha vendimet dhe veprimet e veta, në përputhje të plotë me rregulloret e veta dhe ligjin e RTK-së. Kujtojmë se raporti i Auditorit të Pavarur për vitin 2020 e ka cilësuar atë të pakualifikuar, duke renditur si një ndër raportet më të mira të pasqyrave financiare të RTK-së. Sa i përket auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), konfirmojmë se Bordi i RTK-së ka qenë dhe është gjithmonë i hapur të auditohen pasqyrat financiare të këtij mediumi”, thuhet në reagim.
Sipas asaj që është thënë në reagim, “Bordi i RTK-së ka qenë dhe mbetet i hapur për të dhënë përgjigje ndaj Kuvendit të Kosovës si themelues i RTK-së për çdo çështje që ka të bëjë me fushveprimtarinë e tij, në çdo situatë dhe rrethanë”.
“Lufta politike kundër mediumit publik, e ndërtuar mbi ‘faktet alternative’, është e padrejtë dhe me qëllim të vetëm të instrumentalizimit të mediumit publik për nevojat politike”, thuhet në reagimin e Bordit të RTK-së, i firmosur nga kryetari Sali Bashota.
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal i ka rekomanduar sot Kuvendit shkarkimin e Bordit të RTK-së me arsyetimin se janë evidentuar “shkelje e keqpërdorime të brendshme”.
BORDI I RADIOTELEVIZIONIT TË KOSOVËS KUMTESË PËR MEDIA
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) vlerëson se inicimi i shkarkimit të Bordit të RTK-së nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtetit Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është i ndërtuar mbi kualifikime politike rreth proceseve në RTK dhe për asnjë moment mbi të vërtetat faktike. Përsëritja e të pavërtetave, nuk e bën të vërtetë një pohim të tillë.
Bordi i RTK-së ka argumentuar dhe faktuar në secilin raportim të komisioneve përkatëse të gjitha vendimet dhe veprimet e veta, në përputhje të plotë me rregulloret e veta dhe ligjin e RTK-së. Kujtojmë se raporti i Auditorit të Pavarur për vitin 2020 e ka cilësuar atë të pakualifikuar, duke renditur si një ndër raportet më të mira të pasqyrave financiare të RTK-së.
Sa i përket auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), konfirmojmë se Bordi i RTK-së ka qenë dhe është gjithmonë i hapur të auditohen pasqyrat financiare të këtij mediumi.
Më 22 prill 2021, Bordi i RTK-së unanimisht kishte njoftuar ZKA-në se është e mirëpritur që të vijë dhe të bëjë auditimin financiar. Sa i përket auditimit të mëparshëm, ZKA ka audituar RTK-në mbi performacën. Për auditimin financiar, ZKA ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me kufizimet ligjore, prandaj i është drejtuar Zyrës Ligjore të Kuvendit për të sqaruar kompetencën e saj rreth auditimit të pasqyrave financiare të RTK-së.
Megjithëkëtë, RTK, paraprakisht, nëpërmjet deklaratës publike, të lëshuar më 22 prill 2021, ka bërë të ditur se mirëpret ZKA-në të vijë dhe të auditojë pasqyrat financiare të RTK-së, pavarësisht përgjigjes nga Zyra Ligjore e Kuvendit.
Bordi i RTK-së ka qenë dhe mbetet i hapur për të dhënë përgjigje ndaj Kuvendit të Kosovës si themelues i RTK-së për çdo çështje që ka të bëjë me fushveprimtarinë e tij, në çdo situatë dhe rrethanë.
Bordi i RTK, shpejt do të dalë për publikun me një përgjigje të detajuar për të gjitha dilemat e ngritura publikisht nga komisionet përkatëse të Kuvendit të Kosovës, të cilat qëllimisht kanë deformuar të vërtetën mbi punën dhe zhvillimin e RTK-së.
Inicimi i këtij shkarkimi, në këtë mënyrë, i Bordit të RTK-së, është në kundërshtim me Ligjin për RTK-në dhe mbi të gjitha shkel të drejta kushtetuese, të cilat burojnë nga mandati i anëtarëve të Bordit.
Lufta politike kundër mediumit publik, e ndërtuar mbi “faktet alternative”, është e padrejtë dhe me qëllim të vetëm të instrumentalizimit të mediumit publik për nevojat politike.
Kryetari i Bordit të RTK-së,
Prof. dr. Sali BASHOTA























