Ministrja Haxhiu takon Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kërkoi nga të gjithë anëtarët që të jenë në nivelin e detyrës dhe gjithashtu, që në përputhje me legjislacionin dhe kriteret profesionale, të zbatojnë përgjegjësitë, të cilat iu janë besuar, duke kthyer kështu kredibilitetin dhe profesionalizimin në këtë proces.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka takuar anëtaret e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Në fjalën e saj hyrëse, ministrja Haxhiu fillimisht uroi të gjithë anëtarët për përzgjedhjen e tyre nga Kuvendi i Kosovës, me ç’rast shprehu rëndësinë e mirëfunksionimit të Komisionit si dhe organizimit sa më të kompletuar të krejt procesi të cilit do t’i nënshtrohen juristët e rinj.
Në anën tjetër Kryetari i Komisionit, Albert Zogaj, në emër të Komisionit ka shprehur falënderimet për besimin e dhënë duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin që Komisioni të jetë në nivelin profesional gjatë ushtrimit të kësaj përgjegjësie.
Sipas njoftimit nga Ministria e Drejtësisë thueht se, Zogaj tutje ka theksuar rëndësinë që Komisionit dhe tërë procesit, t'ia kthejnë integritetin dhe profesionalizmin e munguar.
Në kuadër të reformave, ditë më parë Ministrja e Drejtësisë gjithashtu kishte ulur tarifat 50% për kandidatë të cilët do t’i nënshtrohen provimit si dhe për vet anëtarët e Komisionit.
Ditëve në vazhdim, Ministria e Drejtësisë do të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbajtjen e Provimit të Jurisprudencës, me ç’rast shumë juristë do të kenë mundësinë që t’i nënshtrohen.
























