Kosova, në kërkim të pronave
BKT
Lajme

Kosova, në kërkim të pronave

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila ka në autoritet privatizimin dhe shitjen e ndërmarrjeve shoqërore, as për 18 vjet që nga fillimi i punës së saj, nuk ka arritur ta rregullojë çështjen e aseteve të ndërmarrjeve që gjenden jashtw Kosovës.

AKP-ja ka në evidencë 163 prona shoqërore, që ju përkasin ndërmarrjeve shoqërore të ndryshme nëpër shtete të dala nga ish-Jugosllavia. Prej 163 pronave shoqërore, shumica janë lokale dhe zyre.

Në bazë të ligjit, këto prona duhet të administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga Zyra për Informim e AKP-së, thuhet se procesi i posedimit faktik dhe juridik i 163 pronave të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, të cilat gjenden në vendet e ish-Jugosllavisë, për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), po paraqet një sfidë të madhe, njofton indeksonline.

“Mbetet sfidë jo e lehtë për AKP-në dhe ndërmarrjet shoqërore, duke marrë parasysh rrethanat shumëvjeçare të zhvillimeve politike dhe kornizës ligjore të shteteve përkatëse”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Gjatë kësaj periudhe, kjo Zyrë thotë se, me përjashtim të Republikës së Serbisë, shtet në të cilin AKP-ja pengohet të ketë qasje ligjore në dokumentacionin administrativ dhe procedura tjera ligjore, në shtetet tjera, AKP-ja zhvillon në vazhdimësi procedura administrative dhe gjyqësore, në emër të ndërmarrjeve shoqërore, për posedim ligjor të këtyre pronave.

Së fundmi, Kosova ka nisur procedurat gjyqësore për kthimin e një prone, e cila gjendet në Malin e Zi. Bëhet fjalë për parcela në shëtitoren përgjatë plazhit të Beçiqit, ku dikur ndodhej një vend-pushimore për fëmijë.

Autoritetet në Kosovë, thonë se po synojnë kthimin e pronës së blerë gjashtë dekada më parë. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës, Sami Istrefi, ka thënë se konform legjislacionit të Malit të Zi, kanë ushtruar një padi për vërtetim pronësie dhe masë sigurie për atë pronë.


MË SHUME NGA Lajme