Spiuni i Putinit takon ndihmësin e Salvinit, krijimi i një fondi për Lega-n
Një spiun rus ishte përfshirë në një skemë për siguruar fonde të paligjshme për fushatën e Lega, partia anti-migrante e drejtuar nga Matteo Salvini, pretendon një revistë italiane.
Andrey Kharchenko ishte një nga tre rusët që u takuan me një italian të lidhur me Salvinin në një hotel në Moskë në tetor 2018, për të bërë marrëveshjen, shkruan revista javore e lajmeve L’Espresso, shkruan "The Times" .
Njoftimet për përfshirjen e nivelit të lartë rus do ta turpërojnë kryeministrin Mario Draghi, i cili po ashpërson qëndrimin e Italisë ndaj Rusisë me mbështetje nga Salvini.
Njoftimet për takimin u shfaqën në vitin 2019, me botimin e një incizimi audio në të cilin një italian i identifikuar si Gianluca Savoini, duket se negocion shitjen e naftës ruse një firme shtetërore italiane, duke vjelur para për të financuar kostot e fushatës së Lega-s.
Savoini, i cili ishte zëdhënësi i Salvinit dhe shkonte shpesh në Moskë me udhëheqësin e Legas, i mohoi akuzat. Ai është duke u hetuar për korrupsion nga prokurorët italianë.
Salvini, zëvendëskryeministër i Italisë në atë kohë, nënshkroi një marrëveshje partneriteti në vitin 2017 me partinë Rusia e Bashkuar të Presidentit Putin dhe ishte një kritik i rregullt i sanksioneve evropiane kundër Moskës. Uebfaqja BuzzFeed, e cila publikoi incizimin, një nga rusët e pranishëm e emërtoi si Kharchenko, duke pretenduar se ai punoi me ideologun rus të ekstremit të djathtë Aleksandr Dugin dhe udhëtoi me një pasaportë që përdoret zakonisht nga punonjësit e qeverisë.
Zyrtarët e inteligjencës perëndimore u kanë thënë homologëve të tyre italianë se Kharchenko është një zyrtar i shërbimit të brendshëm të inteligjencës së Rusisë, informacion që u është kaluar prokurorëve që po hetojnë Savoinin, shkruan L'Espresso.
“Në Moskë nuk mund të negociosh një marrëveshje kaq të vlefshme dhe delikate, e cila përfshin kompani shtetërore dhe një palë të huaj, pa një dritë jeshile nga shërbimet sekrete shumë të fuqishme”, thuhet në këtë botim.
Nga dy rusët e tjerë të pranishëm, njëri thuhet se ka punuar për një kompani të bashkëthemeluar nga Vladimir Pligin, një politikan i afërt me rrethin e ngushtë të Putinit. L’Espresso thotë se personi tjetër ishte Yury Burundukov, i cili ka punuar për Konstantin Malofeev-in, një oligark i cili u vu nën sanksionet e SHBA.-së pas akuzave se ai kishte financuar separatistët ukrainasë. Nuk ka asnjë provë që marrëveshja e pretenduar është arritur dhe Salvini ka thënë se ai “kurrë nuk ka marrë asnjë rubël, një euro, një dollar ose një litër vodka të financuar nga rusët”.
Salvini u largua nga qeveria italiane në vitin 2019, por atë vit Lega u rreshtua për të mbështetur një qeveri të unitetit kombëtar të udhëhequr nga Draghi, i cili është angazhuar për lidhje më të afërta me SHBA-në dhe është larguar nga lidhjet me rusët, të inkurajuara nga Salvini.
Dy diplomatë rusë u dëbuan nga Italia në mars pasi njëri nga ta u kap në një parking në Romë duke i dorëzuar para një zyrtari italian të mbrojtjes në këmbim të dokumenteve sekrete.
Duke diskutuar muajin e kaluar për Rusinë, Draghi tha: “Niveli i interferimit, si me spiunimin që kemi parë kohët e fundit, ashtu edhe në internet, është bërë me të vërtetë alarmues.”
Ky tekst është botuar në The Times























