Sami Kurteshi me akuza në deklarimin e pasurisë
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka drejtuar akuza në deklarimin e pasurisë së publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Duke folur për biznesin e bashkëshortes së tij, Kurteshi ka thënë se ajo operon me humbje, meqenëse vidhet nga hajnat.
Kurteshi tutje ka thënë se këta hajna nuk zbulohen kurrë nga policia dhe prokuroria, duke i akuzuar se bashkëpunojnë dhe “i zhvatin inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës”.

Ndryshe, Kurteshi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë rreth 1 milion e 500 mijë euro. Tek këto pasuri ka deklaruar një shtëpi dhe tri toka, por që ka thënë se janë në pronësi të përbashkët.
Te pasuritë e luajtshme ka deklaruar një veturë në vlerë 7 mijë euro, një bibliotekë në vlerë 70 mijë euro dhe veturën e bashkëshortes që thotë se kushton 3 mijë euro.
Si para të gatshme, Kurteshi ka deklaruar rreth 20 mijë euro në emër të tij, 10 mijë në emër të bashkëshortes dhe 1 mijë në emër të fëmijëve.
Por, Kurteshi ka edhe borxhe. Shuma e parave që ai ka borxh sillet rreth 400 mijë euro, derisa të hyrat vjetore të tij sillen rreth 16 mijë euro./GE/























