Kurti për Liqenin e Ujmanit: Kjo është çështje e mbyllur në ish-Jugosllavi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vazhdim të intervistës për RTK-në, ka folur edhe për Liqenin e Ujmanit. Ai ka thënë se ky liqen është pronë e Kosovës, por nuk e ka përmendur fare Raportin e SHBA-së për ndarjen e tij sipas modelit të Lumit Kolombia mes SHBA-së dhe Kanadasë.
Kurti ka thënë se liqeni është ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe se Serbia ka pasur rastin të ankohet atëherë.
“Është liqen artificial i Kosovës, them artificial dhe jo natyral. Pasi nuk është se kufiri ka rënë në liqenin natyror por është një liqen i ndërtuar. Ai është ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe është konsideruar çështje e mbyllur atëherë. Nuk është ankuar Serbia andej, atëkohë. Pra, nuk mund të diskutojmë për një çështje e cila është e mbyllur. Kosova nuk ka qenë Republikë por njësi autonome dhe element në Federatë. Është çështje e mbyllur nuk mund të vihet asnjëherë në pikëpytje pronësia”, ka thënë ai.
Sipas tij, ekspertët e Kosovës janë duke i shqyrtuar të gjeturat dhe natyrisht që do të përdorin argumenetet të cilat do të jenë në favor të sovranitetit të Kosovës.
“Aty në marrëveshje ka qenë fjala “share” do të thotë dicka që e ndan së bashku. Unë nuk jam në favor të komisioneve të përbashkëta Kosovë-Serbi. Unë tani po e shoh në samite ndërkombëtare për gjithçka kemi problem. Qeveri apo përfaqësues. Qytetar apo vendas. Jemi futur në debate terminologjike. Unë kam thënë që të mos evitohet elefanti në dhomë. Pasi nëse e eviton ai vetëm rritet. Megjithatë kjo nuk u pranua pasi duket se pala tjetër është mësuar ndryshe me ata para nesh”, ka thënë ai.























