Ja si e ndryshoi Luis Enrique Spanjën, tashmë synohet triumfi në Euro 2020!
BKT
Sport

Ja si e ndryshoi Luis Enrique Spanjën, tashmë synohet triumfi në Euro 2020!

Pas disa dështimeve spektakolare radhazi në aktivitetet madhore Spanja më në fund ia doli mbanë për të fituar një vend mes katër skuadrave përfaqësuese më të mira të kampionatit evropian.

Edicioni i 16 i këtij kompeticioni nisi jo mirë për skuadrën e drejtuar nga Luis Enrique, që siguroi kualifikimin për në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë vetëm pas triumfit mbresëlënës në takimin përmbyllës me Sllovakinë. Pavarësisht faktorit fushë “la furia roja” barazoi respektivisht 0-0 dhe 1-1 me Suedinë dhe Poloninë, ndërsa në sfidën e fundit kombëtarja spanjolle fitoi thellë 5-0 me Sllovakinë. Tani “La Roja” bëhet gati për duelin me Italinë, por është e qartë që Spanja nuk tremb më njësoj si më parë dhe skuadra “axurre” ka një mundësi të shkëlqyer për t’u rikthyer në finalen e këtij aktiviteti për herë të parë që nga evropiani i vitit 2012, që u mbajt në Poloni dhe Ukrainë ku Italia e Cesare Prandelli-t u thye në finale e madhe me shifrat dërrmuese 4-0 nga Spanja e Vicente del Bosque-s.

Në fazën e knock out-it skuadra e Luis Enrique-s ia doli për të eliminuar me radhë Kroacinë dhe Zvicrën, megjithatë në të dy rastet Spanja shpërdoroi pozita shumë të mira avantazhi. Tani të gjithë rendin për të bërë parashikime, por është e qartë që me vetëm 1 fitore brenda 90’ në 5 sfidat e deritanishme përfaqësuesja spanjolle ka humbur ndjeshëm terren në listën e kombëtareve pretendente për trofeun Henry Delanuay. Për hir të së vërtetës ekipit spanjoll nuk I mungojnë cilësitë dhe formacioni i përzgjedhur i trajnerit asturian shquhet për organizimin, kontrollin e topit si dhe kualitetin që zotëron kontigjenti I futbollistëve në dispozicion. Seleksioni i Luis Enrique-s ka një konotacion të qartë taktik, por është e dukshme që skuadra spanjolle ka probleme vërtet shumë të mëdha në repartin e prapavijës. Në mënyrë të vecantë 51-vjecari nga Gijoni ka marrë kritika të ashpra nga opinioni publik dhe mediat e shumta në atdhe, sidomos nga gazetat që janë pranë klubit të Realit të Madridit.

Ndonëse me shumë vështirësi deri tani “la furia roja” ka bërë përpara duke ndjekur në mënyrë të verbër pikërisht këshillat e njërit prej trajnerëve më të përgatitur të futbollit botëror. Bashkë me Italinë, të cilën do ta ketë përballë në sfidën hapëse të fazës gjysmëfinale “La Roja” përfaqëson gjithashtu edhe skuadrën që ka ditur të nxjerrë më së miri në pah një organizim të saktë, me një formë të strukturuar pak a shumë njësoj si c’funksionon një klub. Pra si Italia ashtu edhe Spanja më shumë ngjajnë si klube se sa skuadra përfaqësuese për nga mënyra e lojës, duke marrë parasysh karakteristika e vecanta të lojtarëve që kanë në përbërje. Natyrisht askush nuk I mohon meritat e Luis Enrique-s, duke marrë në konsideratë faktin që trajneri asturian nuk ka në dispozicion një brez po aq të talentuar sa paraardhësit e tij. Skuadra është dukshëm inferior për nga niveli, nëse do të guxohej për të bërë një krahasim me ekipet që kanë patur më herët trajnerët e mirënjohur Luis Aragones dhe Vicente del Bosque.

Si bazë nisjeje, për nga struktura mënyra e sistemit të lojës së Spanjës është pothuajse e njëjtë me atë të Italisë. Pra një 4-3-3 më e qartë si skemë, krahasuar me modulin e lojës që preferon trajneri italian Roberto Mancini. Në fazën e ndërtimit të lojës kontrolli i mirë i topit shndërrohet natyrshëm në detyrim për futbollistët që marrin pjesë në nisjen e aksionit dhe kjo është dicka e qartë që karakterizon mënyrën tipike të lojës për përfaqësuesen iberike. Dy futbollistët e krahut prapa, Azpilicueta dhe Jordi Alba marrin pjesë bashkë me lojtarët e qendrës në zhvillimin e manovrës pa qenë e nevojshme për t’u ngjitur lart në ¾ e fushës kundërshtare. Përpara repartit të tërhequr qëndron Sergio Busquets, që me eksperiencën e tij të jashtëzakonshme kontribuon për t’I dhënë stabilitet skuadrës.

Kapiteni mungoi në dy takimet e para, megjithatë në dy sfidat e tjera me Sllovakinë dhe Kroacinë mesfushori i Barcelonës u përzgjodh me të drejtë edhe si ylli I këtyre ndeshjeve. Pothuajse 33-vjecar dhe me plot 126 takime në kurriz me fanellën e përfaqësueses Busquets shoqërohet në mesin e fushës nga krahët nga lojtarë si Koke nga e djathta dhe Pedri nga e majta, ndërsa përpara tyre qëndrojnë të hapur dy futbollistë anësorë si Ferran Torres dhe Pablo Sarabia, që në duelin me Italinë pritet të zëvendësohet nga Dani Olmo, duke I dhënë hapësirë në këtë mënyrë në majë të sulmit pikërisht sulmuesit Alvaro Morata. Zhvillimi I manovrës parashikon pushtimin e një pjese të hapësirave që krijohen mes lojtarëve anësorë dhe mesfushorëve qendrorë të skuadrave kundërshtare dhe me një detyrë të tillë është ngarkuar dyshja Koke – Pedri, që kërkohen vazhdimisht me topa vertikalë ose diagonalë, veprime që natyrisht ndihmojnë lëvizjet e Moratës përpara.

28-vjecari madrilen ka si alternativa zhvendosjet prapa shpinës së mbrojtësve kundërshtarë, në kërkim të korridoreve të duhura ose kthimin dhe afrimin gjithashtu për të marrë pjesë nga afër në aksion nëpërmjet lojës kombinative. Pikërisht ky është edhe momenti që shfrytëzohet nga dy lojtarët e tjerë anësorë për të depërtuar dhe sulmuar zonat e lëna bosh nga sulmuesi I Juventusit. Kështu pozicionimi tepër I hapur nga krahët I lojtarëve anësorë zbraz pjesën qendrore të gjysmëfushës kundërshtare dhe mundëson krijimin e shumë hapësirave për mesfushorët. Shpeshherë aksioni zhvillohet gjithashtu edhe duke shrytëzuar lëvizjet e bashkërenduara të futbollistëve të krahut, me daljen përpara të lojtarëve të tillë si Jordi Alba dhe Azpilicueta, ose shkëmbimin e pozicioneve apo detyrave me futbollistin korrespondues që kanë në atë anë të fushës. Në fazën difensive alternohet faza e presingut me mbrojtjen pozicionale, mënyrë loje ku Spanja ka aftësinë për t’u rreshtuar me skemën 4-1-4-1, që lejon fare pak hapësira në dispozicion të skuadrave kundërshtare.

Problemi më i madh ndoshta vjen nga mungesa e mirëkuptimit të nevojshëm mes dy qendrave të mbrojtjes. Luis Enrique ka zgjedhur Aymeric Laporte nga e djathta, ndërsa në qendër të mbrojtjes nga e majta trajneri asturian I ka dhënë besim Pau Torres-it. Një marrëdhënie tepër e sforcuar që u shfrytëzua më së miri nga përfaqësuesja helvete, e cila ia doli të përfitojë me anë të Xherdan Shaqirit, për të shtrënguar “La Roja”-n deri te gjuajtjet e penalltive, pas të cilave Unai Simon u shpall edhe heroi I takimit.