Rrjeti i Grave kërkon përfshirje të barabartë të grave në zgjedhjet lokale
BKT
Lajme

Rrjeti i Grave kërkon përfshirje të barabartë të grave në zgjedhjet lokale

Rrjeti i Grave të Kosovës – RRGK i kanë dërguar letër të hapur të gjitha partive politike në vend, para zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.

Sipas njoftimit, ato kanë kërkuar përfshirjen e barabartë të grave dhe burrave duke zbatuar Ligjin për Barazi Gjinore.

“Gratë në Kosovë mbesin të nënpërfaqësuara fillimisht brenda partive, e më pas edhe në kandidatura për kryetare të komunave. Deri më tani, asnjë grua nuk është kandiduar për kryetare në ndonjë komunë. Kjo bie ndesh me nenin 14 të Ligjin për Barazi Gjinore, i cili obligon partitë politike që të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të burrave dhe grave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e Nenit 6 të këtij ligji – i cili përcakton qartë se në ato raste kur ekzistojnë pabarazitë, duhet të merren masa të veçanta të përkohshme me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike ndërmet grave dhe burrave në ato fusha ku ekzistojnë pabarazi”, thuhet në njoftimin e Rrjetit të Grave.

Sipas Ligjit për Barazi Gjinore, përfaqësimi i barabartë gjinor arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej 50% në jetën politike dhe publike, punësimin, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, përfitimet shoqërore, sportin, kulturën dhe sferat e tjera të përcaktuara.

Letra e plotë e Rrjetit të Grave të Kosovës drejtuar partive politike:

Letër e hapur drejtuar partive politike në Kosovë,

Zgjedhjet lokale të këtij viti po afrohen, e me këtë rast ka filluar edhe publikimi i kandidaturave për kryetarë/e të komunave.

Këto zgjedhje do të mbahen vetëm pak kohë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021, të cilat sollën një ndryshim shpresëdhënës për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në politikë dhe procese vendimmarrëse. Në këto zgjedhje, ne dëshmuam rritjen e përfaqësimit të grave në Kuvendin e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe faktin se më shumë gra u zgjodhën pa kuotë se sa që u zgjodhën falë saj.

Me votën e tyre për gratë, qytetarët treguan që duan më shumë gra në pozita udhëheqëse dhe në përfaqësim politik, andaj partive politike u mbetet ta lexojnë qartë këtë mesazh dhe të ofrojnë hapësirë të barabartë për gratë dhe burrat në këto zgjedhje lokale.

Këtë kohë, teksa ju brenda partive po diskutoni kandidaturat e mundshme për kryetarë/e të komunave, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ju fton që të angazhoheni për përfshirje të barabartë të grave dhe burrave përmes:

Zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore

Gratë në Kosovë mbesin të nënpërfaqësuara fillimisht brenda partive, e më pas edhe në kandidatura për kryetare të komunave. Deri më tani, asnjë grua nuk është kandiduar për kryetare të ndonjë komune.

Kjo bie ndesh me nenin 14 të Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj), i cili obligon partitë politike që të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të burrave dhe grave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji- i cili përcakton qartë se në ato raste kur ekzistojnë pabarazitë, duhet të merren masa të veçanta të përkohshme me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike ndërmjet grave dhe burrave në ato fusha ku ekzistojnë pabarazi.

Sipas LBGj-së, përfaqësimi i barabartë gjinor arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) në jetën politike dhe publike, punësimin, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, përfitimet shoqërore, sportin, kulturën dhe sferat tjera të përcaktuara me këtë ose ndonjë ligj tjetër. Kurse, kujtojmë se pas zgjedhjeve lokale të vitit 2017, gratë përbëjnë vetëm 33% të anëtarëve të kuvendeve komunale, dhe 0% të kryetarëve të komunave.

Për më tepër, në përfaqësimin politik nuk është marrë fare parasysh aspekti i ndërthurjes dhe përfaqësimi i grave me aftësi të kufizuara, grave rome, ashkali, egjiptiane, gorane dhe serbe, të cilat nuk janë të përfaqësuara fare.

Kandidimi i deritanishëm vetëm i burrave për kryetarë të komunave jo vetëm që qëndron larg përfaqësimit të barabartë, por përbën shqetësim tejet të madh për themelet demokratike dhe ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.

Bëjmë thirrje që ju, si parti politike, ta luftoni këtë diskriminim të shumëfishtë ndaj grave, dhe të kandidoni gra për kryetare të komunave, si parakusht për arritjen e përfaqësimit të barabartë  në sferën publike.

Dhënies së hapësirës për përfaqësim të barabartë në media

Pjesëmarrja dhe përfshirja e grave në politikë assesi nuk mund të shihet si e shkëputur nga paraqitjet e grave në publik, qoftë përmes tubimeve elektorale apo përmes emisioneve televizive. Në anën tjetër, për vite tashmë dihet se gratë në politikë nuk përfaqësohen barabartë as në debate televizive e as në fushata.

Përvoja disavjeçare e RrGK-së në përcjelljen e zgjedhjeve nacionale dhe atyre lokale, tregon se gratë përballen me padrejtësi të shumta në këto raste. Ato nuk kanë hapësirë të barabartë me burrat brenda organeve të partive, e as në paraqitje publike gjatë kohës së fushatës. Partitë duhet të bëjnë përpjekje efektive që struktura partiake të mundësojë promovimin e barabartë si për gra, po ashtu edhe për burra.


MË SHUME NGA Lajme