Mbyllet “telenovela” De Paul, argjentinasi zyrtarizohet te Atl. Madrid
BKT
Sport

Mbyllet “telenovela” De Paul, argjentinasi zyrtarizohet te Atl. Madrid

Vetëm pak ditë pas rinovimit të kontratës, trajneri Diego Simeone merr një tjetër dhuratë nga drejtuesit e Atleticos së Madridit.

Bëhet fjalë për mesfushorin argjentinas Rodrigo De Paul, që është prezantuar zyrtarisht si blerja më e re e Los Colchoneros.

Ish kapiteni i Udineses kishte spikatur me friulianët në sezonet e fundit dhe kishte tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, përfshi këtu edhe Milanin, Interin e Juventusin, megjithatë garën e fituan kampionët në fuqi të Spanjës.

Këta të fundit arritën pak ditë më parë marrëveshjen me Udinesen, për shifrën e 35 milionë eurove, plus 5 të tjera në formë bonusi, ndërsa zyrtarizimi erdhi vetëm pasditen e sotme, pasi De Paul ishte i angazhuar në Copa America, ku u shpall edhe kampion ditën e djeshme.

Fantazisti argjentinas e nisi karrierën te Racing dhe u transferua fillimisht te Valencia në 2014-ën, por pa arritur të lërë gjurmë. Verën e 2016-ës iu bashkua Udineses në Serinë A dhe nga sezoni në sezon, e rriti ndjeshëm nivelin e performancës në fushë, duke u bërë objekt dëshirash për shumë klube.

Tani De Paul do të provojë të shndërrohet në një lider edhe në formacionin e Atleticos së Madridit, ndërsa Simeone ka në dispozicion një mesfushor ashtu siç i pëlqen, luftarak dhe me shumë cilësi teknike.