​Kusari: Bisedimet që po zhvillohen në Bruksel nuk janë të lehta

​Kusari: Bisedimet që po zhvillohen në Bruksel nuk janë të lehta

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Mimoza Kusari-Lila, në 11 vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila e shpalli vendimin se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, tha se ky vendim ishte dhe mbetet një nga më të rëndësishmet dhe historike për popullin e Kosovës.

Kusari-Lila tha se edhe pas 11 viteve Kosova vazhdon të sfidohet nga politikat destruktive dhe obstruksionet nga Serbia, për të cilin u shpreh se vazhdon të prodhoj ide rreth ndarjes e shkëmbimit të territorit të Kosovës.

Ajo tha se bisedimet që po zhvillohen në Bruksel nuk janë të lehta, por deklaroi se sot po zhvillohen në një frymë të re dhe dalluese nga ajo çfarë kishte më parë. Kusari potencoi se Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës mbeten të përkushtuar që në Bruksel të zhvillohen bisedime mes dy shteteve dhe asnjëherë në dëm të Kosovës apo popullit të saj.

“Sot 11 vite pas këtij vendimi Republika e Kosovës vazhdon të sfidohet nga politikat destruktive dhe obstruksione të cilat ende po ia krijon po i njëjti shtet, Serbia. Shteti serb vazhdon të prodhon ide rreth ndarjes së Kosovës, ide rreth shkëmbimit të territoreve e kush e di në të ardhmen me çfarë ide të reja mund të dalë. Neve na mbetet të forcojmë Republikën tonë, të bëjmë shtëpi të përbashkët për të gjithë qytetarët e saj, të sigurt dhe me mirëqenie për gjeneratat që po jetojnë dhe të tjerat që do të vijnë pas. Bisedimet që po zhvillohen në Bruksel nuk janë të lehta, por sot janë në një frymë të re dhe dalluese nga ajo çfarë kishim më parë. Sot bëhen 4 muaj që ky Kuvend votoi qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila mori mandatin e dhënë nga populli si asnjëherë më parë me mbi 50 përqind, andaj ne Kuvendi i Republikës së Kosovës, qeveria e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuar që në Bruksel të zhvillojmë bisedime mes dy shteteve, me përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet ndërshtetërore dhe asnjëherë në dëm të Kosovës apo popullit të saj”, tha ajo