Pas pezullimit të vendimit për taksën, AAK: Prokuroria të bëjë hetime
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar pas pezullimit të vendimit për tiketën ngjitëse prej pesë eurove për automjetet, me rastin e regjistrimit.
Pas këtij vendimi, AAK e ka quajtur Qeverinë Kurti mashtruese, duke kërkuar nga Prokuroria të hetohet rasti.
“Pezullimi i marrëveshjes për tiketa ngjitëse, me të cilën ngarkoheshin qytetarët që posedojnë automjete, jo në dobi të buxhetit por të një kompanie private, është tregues i qartë se arroganca e numrave nuk kryen punë përball një reagimi të fortë opozitar dhe të shoqërisë civile. Qeveria e mashtrimit, megjithëse mobilizoi sejmenët e saj për ta arsyetuar vendimin e dëmshëm, nuk arriti të qëndrojë para presionit të drejtë, kundër kësaj padrejtësie që dëshironte t’ia servonte qytetarëve të vendit”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Tutje, në reaagim thuhet se “AAK dhe kryetari Haradinaj, kanë qenë shumë të zëshëm për këtë vendim por edhe për shumë vendime të tjera të padrejta të kësaj qeverie. Dështimet e qeverisë shihen gjithandej e zhgënjimi është në rritje”.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron që edhe pse taksa është anuluar, Prokuroria duhet të bëj hetimet për këtë marrëveshje të dëmshme, ku një kompanie me 3 punëtorë u tentua t’i jepnin miliona euro nga xhepat e qytetarëve të Kosovës”, vijon reagimi.
Ndryshe, sot zëvendësministri Hysen Durmishi pezulloi vendimin e zbatimit të marrëveshjes për ofrimin e shërbimit me Tiketa Ngjitëse.























