​Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” kërkojnë intensifikim të punimeve
BKT
Lajme

​Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” kërkojnë intensifikim të punimeve

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” kanë kërkuar intensifikim të punimeve, në të kundërtën pas një jave do të ketë protesta para Komunës së Prishtinës.

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” të Prishtinës kanë protestuar për vonesën e kryerjes së punimeve në rrugën e tyre nga kompanitë e kontraktuara nga Komuna e Prishtinës. Punimet që kanë filluar në prill të këtij vitit, në bazë të kontratës do të duhej të përfundonin plotësisht më 3 shtator të këtij vitit, kur do të duhej të bëhej edhe dorëzimi/pranimi.

Banorët e lagjes kanë shfaqur drojën se me këtë dinamikë të punimeve nga kompanitë e angazhuara rruga nuk do të kryhet deri në dimër. Gjendja e mjerueshme e rrugës aktualisht vështirëson jetën normale për të gjithë banorët e kësaj lagje të madhe të Prishtinës.

Duke bllokuar hyrjen në rrugën “Muharrem Fejza” nga drejtimi i rrethrrotullimit të Rrugës B, banorët kërkuan intensifikim të punimeve, në të kundërtën paralajmëruan se protestat do të jenë më masovike dhe herën tjetër do të organizohen para objektit të Komunës së Prishtinës.

Përfaqësuesi i banorëve të kësaj lagje, Dren Shahini, tha se ndihen të neglizhuar nga komuna, duke theksuar se protesta nuk ka ngjyrime politike e as nuk drejtohet kundër cilësdo kompani, po është një protestë qytetare për përmirësim të kushteve të qarkullimit dhe të jetesës. Në emër të banorëve, Shahini ka thënë se do të presin edhe një javë me shpresën se Komuna do ta marrë çështjen seriozisht dhe do të detyrojë kompanitë të intensifikojnë punimet, para protestuesit të sjellin pluhurin dhe ujin e kanalizimit para Komunës.


MË SHUME NGA Lajme