Gjurma ekologjike dhe Dita T

Gjurma ekologjike dhe Dita T

Shkruan: Zeqir Veselaj

Përderisa bota po “lundron” çdo ditë kozmosin, madje arriti të aterojë fluturake në Mars, Toka asnjëherë nuk ka qenë më afër çrregullimit të pakthyeshëm të balancit ekologjik, që nënkupton vetë ekzistencën. 

Balancën ekologjike nuk e cenon vetëm ndotja dhe degradimi, ndryshimet klimatike, hollimi i ozonit etj., por edhe mënyra se si dhe në çfarë mase e shpejtësie i shfrytëzojmë resurset natyrore që biosfera i prodhon. Pra, vetë mënyra jonë e jetesës dhe sjelljes së përditshme. Kështu, p.sh., ka dallim të madh të kërkesës mbi biosferën, nëse sipas dietës jeni vegjetarian ose hani mish çdo ditë, apo edhe nëse hani produkte vendore apo të importuara nga larg (si, p.sh., nga Brazili). Për një kilogram mish gjedhi në tavolinën tonë (një drekë e zakonshme familjare) vetëm ujë shpenzohen 15,000 litra pa llogaritur shkarkimet e karbonit gjatë procesit. Për të pordhuar një hamburger të zakonshëm, shpenzohen mbi 2,500 litra ujë, ndërsa për një porcion sallate vetëm 80 litra.
Gjurma ekologjike (Ecological footprint) në termat më të thjeshtë paraqet sipërfaqen produktive e tokës (edhe detit) për t`i plotësuar nevojat tona për banim, ushqim, transport në njërën anë dhe për të absorbuar mbeturinat që gjenerojmë në jetën tonë. Pra, kjo është kërkesa jonë ndaj biosferës për të plotësuar nevojat tona bazike për jetë. Në metrikën e saj ajo shprehet me hektarë globalë (gha), ndërsa aktualisht është 2.8 gha për kokë banori brenda vitit kalendarik. Sipas shpërndarjes, ushqimi përbën 31%, banimi (ngrohja, ventilimi, uji, ndriçimi etj.) 29%, mallrat që blejmë 21% dhe transporti 18% të gjurmës ekologjike. Gjurma ekologjike si instrument matës i ekonomiksit ekologjik mund të llogaritet për person, shtet dhe në nivel global.
Biokapaciteti, në anën tjetër, është ajo se çka edhe në çfarë sasie biosfera jonë është në gjendje të prodhojë apo të regjenerojë brenda një viti kalendarik. Pra, shpreh ofertën, përkatësisht mundësinë e biosferës për të na furnizuar me resurset e nevojshme të jetës. Në metrikë, biokapaciteti aktual është 1.6 gha për kokë banori brenda vitit. Kur e krahasojmë me gjurmën ekologjike shohim se përderisa kërkesa jonë është 2.8 ha, ajo që mund të prodhojë biosfera është minus -1.2 gha e kërkesës sonë ndaj saj. Për të plotësuar nevojat e mënyrës aktuale të jetesës, me llogaritjet e gjurmës dhe biokapacitetit, shihet se njerëzimit i duhet jo 1 (sa e kemi), por 1.6 planete Tokë. 
Kur gjurma ekologjike e tejkalon biokapacitetin atëherë shteti (edhe ne si qytetarë brenda tij) futet në deficit ekologjik, ndërsa kur ndodh e kundërta, pra që biokapciteti është më i lartë se gjurma ekologjike, shteti ka rezerva ekologjike. Ekziston një korelacion në mes të shkallës së zhvillimit ekonomik dhe gjurmës ekologjike të një shteti: sa më e madhe GDP, aq më e madhe është gjurma.  
Data kur kërkesa për resurse (gjurma ekologjike) e tejkalon ofertën apo mundësinë e prodhimit (biokapacitetin) njihet si Dita e Tejkalimit të Tokës (Earth Overshoot Day). Në këtë ditë (Dita T) njerëzimi shpenzon resurset natyrore të një viti kalendarik dhe prej asaj date shpenzohen resurse nga viti tjetër. Deri në vitet 1960-‘70 njerëzimi harxhonte brenda vitit atë që e prodhonte biosfera që d.m.th. ishte shpenzim i balancuar me biokapacitetin. Prej vitit 1970, Dita e Tejkalimit ra nën 1 vit (brenda dhjetorit të vitit 1970) dhe ka ardhur duke “hyrë” brenda vitit secilin vit pasues. Për këtë vit, Dita e Tejkalimit është 29 korrik 2021. Prej 30 korrikut, biosfera nuk pushon së prodhuarai, por për 5 muaj ne shpenzojmë resurse nga viti tjetër buxhetin tonë ekologjik, pra hyjmë në borxh ekologjik. Llogariteni nëse pagën vjetore e shpenzoni në korrik, si do ta shtyni deri në fund të vitit?! 

A e dinë kosovarët gjurmën e tyre ekologjike?

Nëse e konsultoni Global Footprint Network, nuk do të gjeni të dhëna për gjurmën ekologjike të kosovarëve si individë, por edhe të Kosovës si shtet. Sigurisht, aty figurojnë shtetet fqinje. Kjo implikon nevojën që edhe Kosova të fillojë kalkulimin e buxhetit të vet ekologjik: pra, të gjurmës ekologjike, biokapacitetit dhe koncepteve që lidhen me to.

Hulumtimit pilot për llogaritjen e gjurmës ekologjike mbi bazën e kërkesave të Footprint calculator dhe mënyrës së jetës së kosovarëve 
Ky pilotim është bërë me 120 respondentë nga zonat urbane dhe rurale të Kosovës, kryesisht student të të dy gjinive.
Sa i përket banimit, shumica absolute e respondentëve (85%) deklaruan se jetojnë në shtëpi individuale, ndërsa pjesa tjetër në banesa të madhësive të ndryshme. Shtëpitë individuale e kanë gjurmën më të madhe në termin e truallit për ndërtim, qasjes rrugore, ujit dhe kanalizimit, ngrohjes etj., dhe kjo e rrit gjurmën ekologjike. Megjithatë, këtë gjurmë në Kosovë e zvogëlon numri i banorëve në familje: sa më shumë banorë, nevojat për rrymë, ngrohje, qasje etj., përpjesëtohen. Afërsisht gjysma e respondentëve kanë familje me mbi 5 anëtarë që nënkupton se ende jemi familje të mëdha. Nga të gjitha format e ngrohjes në dispozicion, rreth 80 % e respondentëve ngrohjen e shtëpisë e bëjnë me dru. Kjo reflekton me gjurmë të lartë ekologjike për dy arsye: prerja e drunjve e ul produktivitetin e pyjeve për resurse dhe oksigjen, si dhe zvogëlon kapacitetin absorbues për dioksidin e karbonit. Ngrohja e bazuar në resurse me karbon të rëndë (dry, qymyr) Kosovës ia rrit shumë gjurmën ekologjike 
Sipas mënyrës së ushqimit, vetëm dy nga 120 respondentë janë deklaruar vegjetarian, që d.m.th. e kanë gjurmën pothuajse 0. Shumica absolute janë konsumues mishi; mbi gjysma konsumojnë mish deri në tri herë në javë, ndërsa rreth 1/3 e tyre prej 4 deri 6 herë. Sa më shumë mish i konsumuar, gjurma ekologjike rritet. Mbi gjysma e respondentëve deklarohen se përkujdesen të blejnë prodhimet vendore gjatë blerjes së produkteve ushqimore dhe kjo është gjë e mirë nëse ndodh në realitet. Sa më shumë prodhime vendore të konsumuara, gjurma ekologjike zvogëlohet. 
Lidhur me transportin, pa veturë në familje janë deklaruar 6% e respondentëve, ndërsa 60% e tyre kanë së paku një të tillë. Nga dy vetura kanë 23% e familjeve, nga tri vetura kanë 6%, ndërsa mbi tri vetura në familje kanë 5%. Sa i përket tipit të veturave, 90% kanë vetura standarde (me 5 dyer), përderisa pjesa tjetër kanë vetura të tipeve të mëdha (xhip), miniveturë, furgon etj. Mesatarja e veturave për familje sipas hulumtimit del të jetë 1.4. Shumica absolute e studentëve në fakultet udhëtojnë me autobus urban ose ndërurban, 15% me këmbë, e asnjë me biçikletë. Vetëm tre nga studentët vijnë në fakultet me veturë individuale. Fundjavat në male, det ose vende të tjera kanë filluar të bëhen pjesë e jetës moderne. Vetëm 10% e respondentëve nuk i praktikojnë uikendet, 46% shkojnë deri në tri herë gjatë vitit, 28% deri në 6 herë, ndërsa 24% mbi 6 herë.
Sa u përket blerjeve më të mëdha, gjatë vitit të fundit (televizor, lap-top, frigorifer, enëlarëse, rrobalarëse etj.) 16% e respondetëve nuk kanë bërë asnjë të tillë, ndërsa 4% mbi tetë blerje në familje. Rreth 87% kanë bërë deri në tri blerje të tilla, ndërsa 8% deri 6 blerje. Nga blerjet e paisjeve elektrike, 60% deklarojnë sa kanë blerë paisje efiçiente, ndërsa 40% standarde (joefiçiente). Sa më shumë paisje efiçiente të blera, gjurma ekologjike zvogëlohet. 
Çdo aktivitet yni jetësor, direkt ose indirekt, prodhon mbeturina. Hulumtimi ynë tregoi se shumica e familjeve (39.5%) prodhojnë së paku një qese mbeturinash (volum 70 litra) në javë, 29% prodhojnë dy qese, mbi 2 qese prodhojnë 24%, ndërsa më pak se një qese vetëm 8%. Megjithatë, 39% e respondentëve nuk bëjnë asnjëherë riciklim të mbetjeve (plastikë, letër, gazeta), ndërsa 35% ndonjëherë, 19% rrallë e vetëm 7% gjithmonë riciklojnë. Shifra e atyre që gjithmonë riciklojnë sipas hulumtimit përputhet në masë të madhe me sasinë e mbeturinave të ricikluara të raportuara në nivel Kosove (rreth 6%). Sa më shumë riciklim të mbeturinave në familje, gjurma ekologjike zvogëlohet. 
Ky është vetëm pilotim i kalkulimit të gjurmës ekologjike dhe sigurisht se duhen edhe shumë e shumë matje të tilla për të përcaktuar gjurmën ekologjike të shtetit. Megjithatë, sipas mënyrës së jetesës që e kanë deklaruar pjesëmarrësit e hulumtimit, del se gjurma mesatare e tyre është 2.57 gha (gjurma më e madhe e raportuar ishte 4.05, ndërsa më e vogla 1.75). Pra, 2.57 hektarë i nevojinten për të plotësuar nevojat jetësore bazike sipas stilit aktual. Kjo tregon se këta njerëz me stilin e tyre të jetesës janë ende në kufi të gjurmës ekologjike globale me mesataren e tyre. Në raport me shtetet fqinjë, Shqipëria e ka gjurmën më të vogël se ne (2.0 gha), ndërsa gjurmën që më të madhe se ne e ka Serbia (2.8 gha), Maqedonia Veriore (3.0 gha), Mali i Zi (3.7gha). Sa për ilustrim, një amerikan me stilin e jetesës e ka gjurmën ekologjike 8.1 gha, ndërsa një austriak e ka 6.0. Sipas gjurmës ekologjike aktuale, banorëve të SHBA-ve për të pasur mjaftueshëm biokapacitet për të jetuar, iu duhen 5 planete, austriakëve 3 të tillë, ndërsa Kosova ende është brenda plotësimit të nevojave nga një planet. Biokapaciteti i Kosovës ende nuk është përcaktuar e kjo e pamundëson edhe përcaktimin e Ditës së Tejkalimit. Këto koncepte kërkojnë hulumtime dhe analiza të tjera.
Kur janë pyetur studentët nëse i njohin konceptet: zhvillimi i qëndrueshëm, gjurma ekologjike, biokapaciteti, gjurma e karbonit, gjurma e ujit, shumica janë përgjigjur që nuk i njohin fare ose që kanë dëgjuar për to, por nuk e dinë se çka nënkuptojnë. Kjo lë të kuptohet se mungojnë në konceptet kurrikulare në njërën anë, por nuk janë as pjesë e politikave mjedisore institucionale e joqeveritare, e as e vokabularit medial. Si mund të kërkojmë nga njerëzit të sillen më me kujdes ndaj resurseve natyrore, nëse nuk ua bëjmë të prekshme ato nga jeta e tyre e përditshme. Po fillojmë tani! Projekti SUSKOS, synon t`i fusë këto koncepte në praktikat e zhvillimit të qëndrueshëm edhe në Kosovë, me prioritet tek mësuesit e nëpërmjet tyre t`i shpërndajë te gjeneratat e reja që kanë nevojë për zhvillimin e qëndrueshëm.

Hulumtimi për këtë artikull është mbështetur pjesërisht nga Open Socety Foundations (OSF). Opinionet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo domosdoshmërisht shprehin pikëpamjet e OSF-së.

Dr. Zeqir Veselaj, 
Ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës

Ky artikull është pjesë e projektit “SUSKOS - Introducing sustainability footprint in education system of Kosovo” me të cilin autori ka fituar çmimin Civil Society Scholar Award 2021.