09:33 / 30.07.2021
Delta i koronavirusit ka filluar të bëhet dominant
Ariana Kasapolli, Radio Kosova
Megjithëkëtë infektologu Ilir Tolaj, duke folur për Radio Kosovën tha se ky variant i koronavirusit ka veçori më të shpejtë përhapëse, por jo edhe vdekshmëri më të madhe se variantet paraprake.
Mos zbatimi i masave aktuale kundër koronavirusit, dhe shpërfaqja e variantit Delta, ka rritur ditëve të fundit numrin e të infektuarve në vend.
Në anën tjetër është vërejtur një hezitim i qytetarëve për tu vaksinuar, gjë që ka ngritur shqetësim tek zyrtarët përgjegjës institucional.
Nga Ministria e Shëndetësisë, duke folur për Radio Kosovën thanë se nuk ka arsye për hezitim sa i përket vaksinimit, ndonëse thonë se ditëve të fundit është rritur interesimi. Faik Hoti, zëdhënës tha se gjatë kësaj kohe për të evituar një përhapje më të madhe të variantit delta, qytetarët duhet të vaksinohen.
" Tani janë krijuar gjitha mundësit për tu vaksinuar, iu është dhënë mundësia qytetarëve që edhe të zgjedhin mes vaksinave në dispozicion, andaj nuk është mirë që të humbet kohë, dhe mendoj që ka pushuar çdo arsye për mos vaksinim, pasi është arma kryesore e mos përhapjes së infeksionit’’, tha Hoti.
Në anën tjetër nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës thanë se Varianti Delta i SARS-COV-2 tani dominues në pjesën më të madhe të Rajonit të Evropës dhe përpjekjet duhet të forcohen për të parandaluar transmetimin, paralajmëron OBSh dhe ECDC.
Ata thanë se rekomandohet fuqimisht vaksinimi i shpejtë i të gjitha grupeve që kanë të drejtë për vaksinim. Kur varianti shqetësues Delta po përhapet, do të kërkohet zbatimi intensiv i masave aktuale të shëndetit publik, përfshirë rritjen e qasjes në testim, për të kontrolluar përhapjen COVID-19, derisa progresi i vaksinimit nuk është ende mjaft i lartë në shumë vende.
Ndërkohë infektologu Ilir Tolaj tha për Radio Kosovën se varianti Delta me siguri që edhe në Kosovë do të bëhet varianti dominant, pasi që po atakon ata që nuk e kanë kaluar në mënyrë të natyrshme infeksionin dhe ata që nuk janë të vaksinuar.
Por ai tha se në Kosovë pritet që numri i infeksioneve të reja edhe nëse shtohet, nuk do të shkakton një valë të papërballueshme të pandemisë. Por ai padyshim përmend vaksinimin masiv.
‘’Një vaksinim i përshpejtuar i të dyja palëve edhe atyre që e kanë kaluar edhe ata që nuk e kanë kaluar infeksionin duhet të ndodhë. Varianti Delta shquhet për vetinë e përhapjes më të shpejtë, por jo hospitalizimit dhe vdekshmërisë më të madhe se variantet paraprake’’, tha Tolaj.
Ndërkohë shtoi se mos zbatimi i masave, e në veçanti aktivitetet ku mblidhen njerëz si klubet e natës, janë vendet ku më së shumti përhapet infeksioni, duke përfshirë variantin Delta.
E për masat aktuale por edhe nëse do të mirren masa të reja, pikërisht për shkak të versionit Delta të koronavirusit, flet zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.
Ton: ‘’Monitorimi i zbatimit të masave duhet bëhet nga të gjitha institucionet relevante mbikëqyrëse, por edhe qytetarët duhet vetë të jenë të vëmendshëm, pasi nuk mjafton njëra anë dhe pa bashkëpunim, nuk kufizohen mundësit e përhapjes’’, tha Hoti.
Sidoqoftë deri ditën e mërkurë janë vaksinuar mbi 400 mijë qytetarë.























