Aktori hollivudian Gordon-Levitt kërkon fotografi interesante nga Kosova

Aktori hollivudian Gordon-Levitt kërkon fotografi interesante nga Kosova

Aktori i famshëm hollivudian, Joseph Gordon-Levitt, ka bërë një kërkesë përmes platformës së tij, HitRecord, për publikimin e fotografive interesante nga Kosova që planifikon t’i përfshijë në një projekt të ri.

Ylli i njohur nga filmat – si “The Dark Knight Rises”, “Snowden”, “Don Jon”, “The Walk”, “Inception”, “The Trial of the Chicago 7” – ka bërë një postim në faqen e tij në Facebook duke kërkuar fotografi nga lokacione të ndryshme në vendin tonë.

“Përshëndetje, miq në Kosovë! Jam duke kërkuar për fotografi interesante të realizuara nga kudo në Kosovë për një projekt të ri në faqen time HitRecord”.

“Gjeni disa të mira në aparatin tuaj fotografik dhe shtojini në projektin KËTU”.

“Ekzistojnë gjithashtu hapa në këtë projekt për shkrimtarët dhe aktorët zanorë, prandaj mos ngurroni t’i kontrolloni edhe ato nëse jeni të interesuar. Mezi pres t’i shoh fotografitë tuaja!”, ka shkruar Gordon-Levitt duke prezantuar një fotografi të realizuar në Kosovë.

Ndërkaq në faqen Hitrecord kërkohet që të publikoni fotografitë “që tregojnë njerëz, vende dhe gjëra të veçanta nga ku jetoni në botë”.

“Postoni fotografi për të ndarë gjërat e veçanta për të parë se ku jetoni. Mund të jetë brenda, jashtë, qytete, natyrë, ushqim, gjithçka – ndani gjithçka që mendoni se është e veçantë, dhe gjithashtu mos ngurroni të ndani sa më shumë fotografi sa të dëshironi”, shkruan në këtë faqe.

HitRecord është një platformë mediatike bashkëpunuese në internet e themeluar dhe në pronësi të aktorit dhe regjisorit, Joseph Gordon-Levitt. Kompania përdor një shumëllojshmëri të mediave për të prodhuar projekte të tilla si filma të shkurtër, libra dhe DVD.

E gjitha filloi në vitin 2005 nga aktori dhe vëllai i tij, Dan, të cilët me kalimin e kohës e hapën platformën për njerëzit e tjerë krijues të cilët donin të rishikonin dhe rimiksonin punën e tyre dhe të tjerëve. /Telegrafi/