Finalja e tretë radhazi, Alves: E merituam, ndaj Meksikës kurrë e lehtë
Brazili arriti një kualifikim drithërues në finalen e madhe të Tokio 2020. Kombëtarja latine olimpike e futbollit, eliminoi Meksikën e fortë ditën e djeshme.
120 minutat lojë nuk prodhuan gola dhe dy skuadrat iu drejtuan penalltive. Brazilianët u treguan të saktë, realizuan saktë goditjet e tyre dhe fituan 4-1, kjo edhe falë një super Santos.
Portieri i Athletico-PR priti dy penallti, duke ndihmuar skuadrën e tij të kalojë në finalen e madhe ndaj Spanjës, që do të zhvillohet më 7 gusht (13:30).
Kapiteni i 5 herë kampionëve të botës, Dani Alves ndihet i lumtur për suksesin, pranon vështirësinë e madhe, vlerëson ekipi kundërshtar dhe e cilëson të merituar triumfin e Brazilit.
“E kisha thënë disa herë përpara ndeshjes: gjithmonë është e vështirë dhe e komplikuar të luash dhe të përballesh me Meksikën.
Ata janë një skuadër e gjallë, shumë aktive dhe luajnë një futboll të bukur. Por në fund mendoj se jemi në finale me meritë“, deklaroi 38-vjeçari i njohur.
Hera e tretë radhazi që Brazili siguron një finale të një Olimpiade. Spanja është rivali i fundit për të siguruar medaljet e arta për kombëtaren seleçao.























