Të rënët në luftë, sinonim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës
Shënohet 23 vjetori i Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Kaçanikut dhe Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Kaçanikut, janë organizuar një mori aktivitetesh për shënimin 10 gushtit- Ditës së dëshmorëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Aktiviteti kryesor është mbajtur në Pallatin e Kulturës “ Xheladin Kurtaj”, përmes një akademie përkujtimore, ku janë përkujtuar dëshmorët e Komunës së Kaçanikut. Me këtë rast Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, tha se 10 gushti mbetet një ditë historike për Komunën e Kaçanikut, ngase me 10 gusht 1998, dolën krismat e para çlirimtare në anën e Kaçanikut, ku edhe ranë heroikisht Komandant Agim Bajrami, me bashkëluftëtarët Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj. “10 gushti- mbetet dita e përkujtimit të dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve në Komunën e Kaçanikut. Kjo ditë, na kthen kujtesën tonë historike, 23 vite më parë, për të kujtuar ngjarjen që më së miri portretizon dhe skalit emrat e gjithë dëshmorëve të anës së Kaçanikut, që kishin së bashku një qëllim: lirinë e atdheut të tyre, e që ishin të bindur deri në përjetësi, se liria kishte vlerë më shumë se jeta e tyre. Vepra e Komandant Agimit dhe shokëve të tij, janë frymëzimi ynë në Kosovën e lirë. Sot puna dhe përgjegjshmëria jonë me paqe e mirëkuptim mes njëri tjetrit, është më e mira që mund të bëjmë për vendin dhe popullin tonë” u shpreh mes tjerash Kryetari Besim Ilazi.
Në emër të Organizatës së Veteranëve të luftës foli Hajrush Kurtaj ish Zëvendës Komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, i cili tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte një epokë e historisë shqiptare, ndërsa shtoi se Kaçaniku i fali kësja toke 95 dëshmorë dy Komandantë, tri vajza të rëna nën petkun e UÇK-së dhe një nënë.
Në emër të familjeve të dëshmorëve të pranishmit i përshëndeti dhe falënderoi për pjesëmarrje bashkëshortja e Komandant Agimit- Zarije Zenuni Bajrami. Për nderë të këtij përvjetori jubilarë u shfaq edhe një program kulturo artistik nga artistët kaçanikas.
Para se të filloj akademia, janë bërë homazhe pranë monumentit të Komandantit Agim Bajrami dhe bashkëluftëtarëve Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj, në fshatin Gabrricë, në kompleksin memorial te varrezat e dëshmorëve, homazhe pranë shtatoreve të Komandantëve Agim Bajrami dhe Qamil Ilazi dhe busteve të veprimtarëve të çështjes kombëtare Idriz Seferi, Sali Bajra dhe Ismajl Raka.























