Gjithçka gati për fillimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën Shqipe
BKT
Kulturë

Gjithçka gati për fillimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën Shqipe

Me 23 gusht fillon edicioni i 39 i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina”.

Ardiana Hajzeri/Radio Kosova

Organizatoret e seminarit kanë bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e tij dhe sipas tyre ky edicion do të mbahet me praninë fizike të pjesëmarrësve.

Edicioni i 39 i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina” do të fillojë punimet me datën 23 gusht.

Drejtori organizativ i këtij seminari, Shkumbin Munishi, në një përgjigjeje për Radio
Kosovën tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për organizimin e këtij seminari duke respektuar rekomandimet e institucioneve për mbrojtjen nga COVID-19.

“ Jemi në fazën e fundit, përkatësisht të finalizimit të programit për fillimin e seminarit për ketë vit, ku kanë mbetur edhe pak ditë për hapjen zyrtare të seminarit. Shpresojmë që brenda mundësive të
fillojmë me datë 23 gusht në ora 11.”

Po ashtu, Munishi tha se edicioni i 39 i këtij seminari do të zhvillohet me praninë fizike të të gjithë atyre që kanë aplikuar për arsye se prania fizike e studenteve dhe studiuesve të huaj është shumë e rëndësishme.

“ Organizimi i seminarit do të bëhet me prani fizike, natyrisht duke i respektuar të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore për mbrojtjen ndaj COVID-19. Studentët dhe studiuesit e huaj që kanë aplikuar, dëshirojnë të marrin pjesë me prani fizike në seminar. Dhe kjo është ideja e seminarit, pjesëmarrja fizike e tyre.”

Ndërsa duke folur rreth interesimit për pjesëmarrje në ketë edicion, ai tha se interesimi është i ngjashëm me vitet e kaluara.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të
Prishtinës.

Ky seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, po dhe me albanologjinë. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e tetë sesione.
Seminari do të zhvillojë punimet nga data 23 gusht deri me 3 shtator 2021.


MË SHUME NGA Kulturë