Kamberi: Kosova dhe Shqipëria t’i qasen më seriozisht Luginës së Preshevës
Shaip Kamberi, deputet nga Bujanovci, kryetar i grupit të vetëm opozitar në parlamentin serb, ka kërkuar sot nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që t’i qasen më seriozisht Luginës së Preshevës.
Ai në një postim në Facebook ka kujtuar se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nuk kanë platformë dhe program shtetëror për Luginën e Preshevës, nuk ndajnë buxhet të rregullt dhe nuk kanë mekanizëm të veçantë qeveritar, teksa e kundërta qëndron me Serbinë në raport me Kosovën.
Qeveria e Serbisë për Kosovën ka platformë dhe program shtetëror, ndanë buxhet të rregullt (çdo vjet me qindra miliona euro), ka mekanizëm të veçantë qeveritar (herë si ministri, herë si zyre të veçantë), shkruan Kamberi.
Qeveria e Serbisë për Luginën e Preshevës ka platformë dhe program shtetëror, sado që letër e vdekur, ndanë buxhet të rregullt, sado që pamjaftueshëm dhe ka mekanizëm të veçantë qeveritar - Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sado që jofunksional dhe joefikas, përfundon Kamberi.
Shaip Kamberi dikur ka qenë gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Ai është deputet nga Bujanovci dhe kryetar i grupit të vetëm parlamentar në opozitë bashkë me disa deputetë boshnjakë. Fjalimet e tij në Kuvendin e Serbisë e kanë bërë të njohur Kamberin, pasi ai nxiti reagime të ashpra politike deri te vetë presidenti serb Aleksandar Vuҫiq.























