Trajkoviq bie në kurth propagandues, ngatërron video-lojën me `pilotin rus
Ish-udhëheqësi i serbëve në Kosovë, Momçillo Trajkoviq ka rënë pre e propagandës ruse.
Trajkoviq pranon se ka shpërndarë një video në profilin e tij në Facebook, kinse të një piloti rus, duke thënë se është mashtruar nga një video-lojë.
“Po, e kam parë këtë. Unë nuk marr vesh shumë në këtë. Dikush thotë se kjo është e montuar, apo si thuhet me këtë gjuhën moderne, me terminologji? Kjo nuk është e vërtetë! Por, në fund të fundit duhet ta pranojmë se aviacioni rus, avionët rusë, pilotët rusë, pas amerikanëve janë më të zotët. Ajo video nuk tregon asgjë tjetër, përveç se akrobacionit dhe aterrimit. Kjo sigurisht lojë kompjuterësh ka qenë. Mashtrim, mashtrim i madh”, tha Trajkoviq.

Ditë më parë, ai kishte shpërndarë një video, duke e pretenduar se është akrobacion i një piloti rus.
“Çdo gjë është e mundur për pilotin rus”, ishte shprehur Trajkoviq.
Po ashtu, ai gjatë një interviste për KosovaPress ka thënë se serbët e duan Rusinë vetëm në kriza dhe se Vladimir Putin në Serbi ka popullaritet më të madh sesa presidenti Aleksandar Vuçiq.
Trajkoviq mendon se ndikimi rus te serbët e Kosovës nuk ndjehet aspak dhe ka shtuar se “serbët i duan rusët vetëm në raste krizash”.























