Krasniqi pas shkarkimit: Do ta ndjek në mënyrë ligjore Kurtin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkarkuar zëvendëskryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Naser Krasniqin, pasi sipas kryeministrit, kjo pozitë nuk kishte bazë ligjore.
Por kështu nuk mendon Krasniqi. Ai thotë se do të ankohet ndaj këtij vendimi.
“Sigurisht që po, në mënyrë ligjore do ta ndjek, sepse unë nuk punoj jashtëligjshëm. Kam shërbyer në qeverinë e Kosovës në mënyrë ligjore”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se nuk e di motivin e shkarkimit dhe se për këtë nuk ishte njoftuar paraprakisht.
Kurti po sot autorizoi Flamur Kadriun, aktualisht drejtor i Drejtoratit për Shërbimin Publik brenda AUV’it, që të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e kryeshefit të kësaj Agjencie, deri në shpalljen e rezultateve të konkursit për emërimin e ri në krye të AUV’it.
Krasniqi ka komentuar edhe këtë emërim.
“E njoh, ka qenë drejtor i shëndetit publik dhe s’kam përshtypje negative. Kemi qenë kolegë. Edhe nga ai ka ardhë një moment që s’e ka prit’, shtoi Krasniqi për Klan Kosovën.























