ViDEO-Vendosen masat e reja anti-COVID19
Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID, pas rritjes enorme të rasteve të reja të infektimeve e të fataliteteve. Në mbledhjen e 32-të të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se institucionet janë të detyruara të shtrëngojnë masat për të parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit.
“Masat kundër pandemisë i kemi propozuar e miratuar në raport me situatën epidemilogjike duke qenë të kujdesshëm për të ruajtur raportin mes shëndetit e ekonomisë. Kur përmirësohej situata i lironim, kur përkeqësohet jemi të detyruar t’i shtrëngojmë. Me miratimin e vaksinës ndryshoi raporti me pandeminë. U kthyem në kundërsulm me vaksinim. E nisëm nga fundi i marsit, e atë masiv nga 15 qershori. Edhe pse e nisëm të fundit në rajon, në gusht për disa javë ishim të parët me mesataren më të lartë në rajon”, ka thënë ai duke shtuar se “një valë e re ishte e pashmangshme në shtator”, tha Kurti.
Ai ka bërë thirrje për vaksinim urgjent të qytetarëve.
Sipas tij qeveria ka punuar shumë që të rritet vaksinimi. Kurti vlerësoi masat kanë qëllim uljen e përhapjes së virusit.
Kurti ka lutur qytetarët për vaksinim, duke njoftuar me masat e reja që do të merren sot.
“Tani kur situata epidemiologjike është përkeqësuar jemi të detyruar që paralelisht me vaksinimin masiv duhet të marrim edhe masë kufizuese që sikurse në fillim të qeverisjes tonë kanë për qëllim ndërprerjen sa më të shpejt të trendit të rritjes e pastaj uljen e tij. Që të parandalojmë përhapjen e virusit te moshat e reja jemi të detyruar që të shtyjmë fillimin e vitit të ri shkollor. Ruajtja e shëndetit kërkon që ta sakrifikojmë përkohësisht edhe lëvizjen tonë deri në përmirësimin e gjendjes. Që ta zvogëlojmë qarkullimin e virusit COVID-19 në variantin DELTA duhet të zvogëlojmë qarkullimin e njerëzve. Jemi të bindur se edhe këto masa do të jenë të suksesshme në raport me qëllimin e tyre. Deri më 6 shtator presim që të na arrijnë edhe 650 mijë vaksina”, ka deklaruar Kurti.
Masat kryesore parashohin që të shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor deri më 13 shtator.
Tani qytetarëve që hyjnë në Kosovë nga pikat kufitare do t’u kërkohet dëshmia e vaksinimit, testi PCR i 72 orëve të fundit apo ai serologjik i 30 ditëve të fundit, pavarësisht shtetësisë së tyre. Në të kundërtën, ata duhet të nënshkruajnë deklaratën nën betim e të vetizolohen për 7 ditë.
Gastronomisë i është kufizuar orari i punës. Ajo do të punojë vetëm në ambiente të hapura, deri në orën 21:30.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka quajtur të domosdoshme shtrëngimin e masave. Ai s’ka përjashtuar mundësinë e marrjes së masave të reja nëse situata vazhdon të përkeqësohet.
Masat e reja do të hyjnë në fuqi që nga nesër, 29 gusht.https://www.facebook.com/rtklivecom/videos/904089463548569/























