Kosova nuk ka krijuar kushte për tërheqjen e investimeve nga diaspora
Mbi 1 milion bashkatdhetarë erdhën në Kosovë, shpenzuan rreth 500 milionë euro Bashkatdhetarët që kanë ardhur këtë verë në Kosovë, sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare, kanë shpenzuar rreth gjysmë miliardi euro.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thotë se diaspora ka qenë, është dhe do të mbetet një nga shtyllat e mëdha të përkrahjes dhe zhvillimit të vendit.
Fatkeqësisht sipas Krasniqit deri më tani diaspora është përdorë vetëm për remitenca dhe kështu Kosova dhe institucionet e saj nuk krijuan kushte për tërheqjen e investitorëve.
Krasniqi: Kosova nuk ka krijuar kushte për tërheqjen e investimeve nga diaspora
“Ka qenë një paaftësi e institucioneve tona në përgjithësi që të krijojmë infrastrukturë ligjore më të mirë që t’i ftojmë diasporën të investojnë, jo vetëm të sjellin ndihma për qytetarët tanë. Në këtë drejtim duhet me urgjencë të madhe, qeveria bashkë me kuvendin t’i ndryshojë ligjet, të krijojë ofertë për të bërit biznes dhe për investime në mënyrë që ne t’i ftojmë ata të investojnë në Kosovë dhe jo të na sjellin vetëm ndihma... Ka kapacitete të jashtëzakonshme nga ana e mërgimtarëve tonë që të vijnë të investojnë, ka edhe vullnet me potencial miliarda euro, që të vijnë të investojnë në Kosovë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur për fajin tonë, jo për fajin e tyre”, thotë ai.























