Kurti: Do të rritet numri i inspektorëve dhe do zgjatet orari i policisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është vendosur të rritet numri i inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe të zgjatet orari i policisë nga 8 në 12 orë.
Ai ka thënë se varianti Delta po tregon që është shumë agresiv dhe shpërndarës.
Kurti ka shtuar se infektimet krahasuar me vitin e kaluar janë shumë më të larta.
“Ne do të shqiptojmë gjoba për këdo që shkel masat, do të shtojmë policinë, ndërkaq inspektorët do të shtojnë kontrollet dhe mbikëqyrjen e zbatimit të masave në dyqane dhe qendra tregtare. Do të gjashtëfishojmë inspektorët në AUV. Lista e 85 inspektorëve që shtohen do të publikohet nesër dhe ata nisin punën gjatë javës. Orari i punës së pjesëtarëve të Policisë do të jetë 12 orësh”, ka thënë ai.
Tutje, Kurti ka thënë se oksigjenimi qendror është shtrirë në secilin spital regjional.
Ai ka thënë se edhe të vaksinuarit mund të jetë shpërndarës e bartës.
“Nuk jemi të kënaqur me një lloj disipline që duhet të jetë dy herë dy javore e të vaksinuarve. U bëj thirrje qytetarëve, që gjatë dy javëve pas vaksinës edhe të parës edhe të dytës të kenë shumë kujdes. I ftoj qytetarët të mos përcaktohen vetëm për Pfizer, unë i kam marrë dy doza AstraZeneca. Gjendja e rëndë e cila ndodhemi është për shkak të variantit Delta”, ka thënë ai.























