​Aeroplanët e fundit amerikanë largohen nga Afganistani
BKT
Lajme

​Aeroplanët e fundit amerikanë largohen nga Afganistani

Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar tërheqjen e forcave të tyre ushtarake nga Afganistani, gati 20 vjet pas mbërritjes në atë vend, tha ushtria amerikane.

"Unë dua të njoftoj fundin e tërheqjes sonë nga Afganistani dhe përfundimin e misionit të evakuimit të qytetarëve amerikanë, shtetasve të vendeve të treta dhe afganëve të cenueshëm. Avioni i fundit C-17 u ngrit nga aeroporti “Hamid Karzai” më 30 gusht, këtë pasdite në 3.29 koha Lindore dhe avioni i fundit njerëzor. Tani po largohet nga hapësira ajrore e Afganistanit, "tha gjenerali Frank McKenzie.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë misionin e tyre diplomatik në mënyrë që të evakuojnë qytetarët amerikanë të mbetur dhe afganët që duan të largohen, raporton CNN.

"Tërheqja e sotme shënon fundin e komponentit ushtarak të evakuimit, por edhe fundin e një misioni gati 20-vjeçar që filloi në Afganistan menjëherë pas 11 shtatorit 2001. Është një mision që i dha fund Osama bin Ladenit dhe shumë të tjerëve i bashkëpunëtorëve të tij. nuk ishte një mision i lirë, "tha McKenzie.

Ai shpjegoi se gjatë misionit, më shumë se 2.460 ushtarë dhe civilë amerikanë u vranë, dhe më shumë se 20.000 prej tyre u plagosën, përfshirë 13 ushtarë të cilët u vranë në sulmin e fundit nga sulmuesit vetëvrasës të ISIS-K pranë aeroportit në Kabul.

Fundi i luftës më të gjatë amerikane do të thotë që nga ky moment, për herë të parë në gati dy dekada, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk do të kenë forca në terren në Afganistan.

Por, ka shqetësime se si këta qytetarë do të mund të largohen nëse nuk do të ketë një aeroport funksional.

Dhjetëra mijëra afganë që janë në rrezik, siç janë përkthyesit që kanë punuar me ushtrinë amerikane, gazetarët dhe avokuesit e të drejtave të grave, po ashtu nuk kanë mundur që të evakuohen dhe kanë mbetur në Afganistan.

Është e paqartë se cili do të jetë fati i tyre, por zyrtarët janë të shqetësuar se talibanët mund të hakmerren ndaj tyre.

Talibanët janë zotuar se do të lejojnë të gjithë shtetasit e huaj dhe qytetarët afganë që kanë autorizim për të udhëtuar nga ndonjë shtet tjetër, që të largohen nga Afganistani, është thënë në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të dielën nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shtetet e tjera.

Çfarë do të ndodhë me aeroportin e Kabulit pas largimit të forcave amerikane?

Në dy javët e fundit, ushtria amerikane, përmes 6.000 trupave ka mbajtur sigurinë dhe operimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul.

Talibanët janë në bisedime me qeveritë e Katarit dhe Turqisë, pasi po kërkojnë ndihmë që të vazhdojnë operimet e fluturimeve civile nga ky aeroport, që është e vetmja mënyrë për shumë njerëz që të largohen nga Afganistani.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha të dielën më 29 gusht, se duhen bërë riparime në aeroportin e Kabulit përpara se ky aeroport të rinisë fluturimet civile.

Turqia, që është pjesë e misionit të NATO-s, gjatë gjashtë vjetëve të fundit ka qenë përgjegjëse për sigurinë në këtë aeroport. Mbajtja hapur e aeroportit të Kabulit, pasi trupat e huaja dorëzojnë kontrollin e tij, është vitale jo vetëm për Afganistanin, por gjithashtu është e rëndësishme edhe për të ruajtur furnizimet dhe operacionet e ndihmës.

Si do të jetë në të ardhmen raporti ndërmjet SHBA-së dhe talibanëve?

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk planifikojnë që të lënë në Afganistan diplomatë dhe Uashingtoni do të vendosë se çfarë do të bëjë në të ardhmen duke u bazuar në veprimet që do të ndërmarrin talibanët.

Por, administrata Biden do të duhet të shohë se si do të jetë në gjendje që të sigurojë që në Afganistan nuk do të shpërthejë krizë humanitare dhe ekonomike.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbi 18 milionë persona – mbi gjysma e popullsisë së Afganistanit – kanë nevojë për ndihmë dhe gjysma e të gjithë fëmijëve afganë nën 5 vjeç veçse vuajnë nga kequshqyerja akute teksa Afganistani është goditur nga thatësira e dytë në katër vjetët e fundit.

Disa shtete, përfshirë Britaninë, kanë thënë se asnjë shtet nuk duhet të njohë në mënyrë bilaterale talibanët si Qeveri të Afganistanit.

Çfarë kërcënimi paraqet Shteti Islamik?

Një prej çështjeve që SHBA-ja dhe talibanët mund të bashkëpunojnë mund të jetë kërcënimi që paraqesin militantët e Shtetit Islamik.

Janë ngritur pyetje lidhur me atë se si Uashingtoni dhe talibanët mund të koordinohen dhe potencialisht edhe të ndajnë informacione, me qëllim që ta luftojnë këtë grup.

Shteti Islamik Khorasan (IS-K), që është emëruar sipas emërtimit të mëhershëm të rajonit, fillimisht u shfaq në lindje të Afganistanit në fundin e vitit 2014 dhe shpejt fitoi reputacion për shkak të brutalitetit ekstrem.

Ky grup mori përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës me bombë të 26 gushtit, që ndodhi jashtë aeroportit të Kabulit, ku u vranë mbi 170 persona, përfshirë edhe 13 ushtarë amerikanë.

Që nga ky sulm, Shtetet e Bashkuara kanë kryer të paktën dy sulme me dronë ndaj këtij grupi dhe Biden dhe administrata e tij janë zotuar se do të vazhdojnë të hakmerren ndaj grupit për këtë sulm.

IS-K është rival i talibanëve. Por, zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se ky grup shfrytëzoi paqëndrueshmërinë, që çoi në rrëzimin e Qeverisë afgane më herët gjatë këtij muaji, për të forcuar pozitën e tij dhe për të rritur rekrutimet në mesin e talibanëve./REL


MË SHUME NGA Lajme