Shkalla +1 drejt të panjohurës
BKT
   Analiza & Opinione

Shkalla +1 drejt të panjohurës

Shkruan: Dr. Zeqir Veselaj - Ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës

Të jesh pozitiv jo gjithmonë është gjë e mirë. Pozitiviteti në Covid-19, në HIV, në temperaturën globale, papunësinë, inflacionin etj. sjellin pasoja të rënda për individin por edhe shoqërinë. Sidomos rritja e temperaturës globale po e rrezikon gjithë planetin duke ndryshuar klimën e tij. Një ekip elitar prej 234 top shkencëtarësh botëror, me një raport rreth 4,000 faqesh dhe 14,000 referencash publikuan Raportin e 6-të Vlerësues (AR6), nën autorësinë e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC). Raporti paraqet një përmbledhje të nivelit të lartë të të kuptuarit të gjendjes aktuale të klimës së planetit, mënyrën se si po ndryshon ajo dhe rolin e njeriut në këtë ndryshim, parashikimet për të ardhmen e mundshme, informacionin të rëndësishëm për rajonet dhe sektorët e prekur. Konkludimi kryesor: për të ruajtur të jetueshëm planetin tonë, shkarkimet e gazeve me efektin serrë në vitin 2050 duhet të jenë 0. Po, po fiks zero.

Ndikimet e ndryshimeve klimatike nuk janë përhapur në mënyrë të barabartë në planetin tonë dhe nuk do të jenë as në të ardhmen. Temperaturat rriten me shpejtësi të ndryshme kudo, me ngrohjen përgjithësisht më të lartë mbi zonat tokësore sesa në oqeane. Ngrohja më e madhe po ndodh në Arktik gjatë stinëve të ftohta, dhe në rajonet me gjerësi të mesme të Tokës gjatë stinëve të ngrohta. Temperatura globale e sipërfaqes së Tokës ishte +1.09 oC më e lartë gjatë dekadës 2011-20 se sa midis dekadave 1850-1900, ndërsa 5 vitet e fundit kanë qenë rekord më të nxehtat që nga viti 1850. Në shumë rajone të botës, ngrohja tashmë ka kaluar për 1.5oC mbi nivelet paraindustriale. Më shumë se 1/5 e njerëzimit jetojnë në rajone që tashmë kanë përjetuar ngrohje më të madhe se +1.5oC në të paktën një stinë të vitit.

Ekstremet e temperaturës

Temperaturat ekstreme në Tokë parashikohet të ngriten më shumë se temperatura mesatare globale, me dallime thelbësore nga vendi në vend. Shumica e rajoneve do të kenë më shumë ditë të nxehta, veçanërisht në zonat tropikale. Në ngrohjen +1.5oC, rreth 14% e njerëzimit do të ekspozohet ndaj valëve të nxehtësisë të paktën një herë në 5 vjet, ndërsa në +2oC kjo do të rritet në 37%. Në gjerësitë e mesme gjeografike të Tokës, ditët më të nxehta do të jenë deri në +3oC më të nxehta në +1.5oC dhe deri në +4oC më të ngrohta në ngrohjen +2oC. Ekstremet më të larta do të jenë në Amerikën Veriore, Evropën Qendrore, Mesdhe, Azinë Perëndimore e Qendrore dhe Afrikën Jugore. Me ngrohjen +1.5oC, dy herë më shumë megaqytete se sot ka të ngjarë të stresohen nga nxehtësia ekstreme. Në ngrohjen +2oC, valët vdekjeprurëse të nxehtësisë që India e Pakistani përjetuan me 2015, mund të ndodhin çdo vit. Rreth poleve të Tokës, netët më të ftohta do të jenë për +4.5oC më të ngrohta në +1.5oC nga sa janë tani, krahasuar me +6oC më të ngrohta në +2oC. Është praktikisht e sigurt që ekstremet e nxehtësisë përfshirë valët e nxehtësisë janë bërë më të shpeshta që nga viti 1990, ndërsa ngjarjet e ftohta janë bërë më të rralla dhe më pak të rrezikshme.

Thatësi, mungesë uji e reshje ekstreme

Kufizimi i ngrohjes në +1.5oC pritet të zvogëlojë ndjeshëm mundësinë e thatësirës dhe rreziqeve që lidhen me disponueshmërinë e ujit në disa rajone, veçanërisht në Mesdhe, në Afrikën e Jugut, Amerikën Jugore dhe Australi. Rreth 61 milion njerëz më shumë në zonat urbane do të ekspozohen ndaj thatësirës së madhe në një planet më të ngrohtë +2oC se sa në +1.5oC. Deri në 50% më pak njerëz në Tokë mund të kenë rritje të stresit ujor të shkaktuar nga ndryshimet klimatike nëse ngrohja globale kufizohet në 1.5oC, në varësi të kushteve të ardhshme socio-ekonomike, megjithëse shkalla do të ndryshojë sipas rajoneve gjeografike. Njerëzit në pellgjet lumore, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe të Afërt, do të jenë veçanërisht të prekur. Prej 184-270 milion më pak njerëz parashikohet të jenë të ekspozuar ndaj rritjes së mungesës së ujit në vitin 2050 në nëse ngrohja arrin +2oC. Rreziqet për pakësimin e ujërave nëntokësor parashikohen të jenë më të mëdha edhe në pragun e temperaturës më të lartë gjithashtu. Në ngrohjen +2oC, disa vende do të kenë një rritje të reshjeve të mëdha në krahasim me +1.5oC, me rreziqe më të larta përmbytjesh. Më shumë zona tokësore të planetit do të preken nga përmbytjet dhe rritja e rrjedhave ujore. Reshjet e dendura të shiut nga ciklonet tropikale parashikohet të jenë më të larta. Më shumë zona do të ballafaqohen me rritje në frekuencën, intensitetin dhe sasinë e reshjeve të mëdha.

Ndikimet në biodiversitet dhe ekosisteme

Raporti AR6 studioi 105,000 specie të insekteve, bimëve dhe vertebrorëve. Në ngrohjen +1.5oC, rreth 6% e insekteve, 8% e bimëve dhe 4% e kurrizorëve do të përjetojnë që shtrirja e tyre gjeografike e përcaktuar nga klima të ngushtohet me më shumë se gjysmën e saj të tashme. Në ngrohjen +2oC, ata numra ngriten në 18%, 16% dhe 8%, respektivisht. Pasojat e ndryshimeve mund të jenë të konsiderueshme. Insektet polenizuese si p.sh. bletët e fluturat, që janë esenciale për bujqësinë dhe ushqimin e njerëzimit, kanë shtrirje gjeografike dukshëm më të madhe në ngrohjen +1.5oC se sa në +2oC. Rreziqet nga zjarret në pyje, ngjarjet ekstreme të motit dhe speciet invazive janë më të larta në ngrohjen +2oC sesa në ngrohjen +1.5oC.

Biomet (rajonet e mëdha biogjeografike të planetit) do të ndryshohen dhe ekosistemet do të transformohen. Rreth 13% e sipërfaqeve të tokës projektohet që ekosistemet e tyre të zhvendosen nga një lloj biomi në tjetrin në ngrohjen +2oC që është rreth 50% më shumë sipërfaqe sesa në ngrohjen +1.5oC. Në biomin mesdhetar, bimësia e shkretëtirës dhe aride parashikohet të zgjerohet edhe me ngrohjen +1.5oC. Tundra dhe pyjet boreale janë veçanërisht të rrezikuara nga degradimi dhe humbja, me ndryshime të biomeve të mundshme në Arktik dhe në rajonet alpine. Kufizimi i ngrohjes në +1.5oC në vend të +2oC pritet të parandalojë shkrirjen e permafrostit të ngrirë me shekuj me sipërfaqe prej 1.5-2.5 milion km2 duke zvogëluar humbjen e pakthyeshme të karbonit të lidhur. Ngrohja do të çoj në reduktim të biomasës së pyjeve të shiut ndërsa që do të rrisë shpyllëzimin dhe zjarret.

 

Ndikimet në oqean

Rritja e nivelit të detit gati se është trefishuar në krahasim me periudhën 1901-1971. Edhe nëse rritja e temperaturës është e kufizuar në +1.5oC, niveli i detit do të vazhdojë të rritet, pasi nxehtësia e akumuluar tashmë në oqeane e shkakton këtë. Por kjo rritje parashikohet të jetë 10cm më e ulët në ngrohjen +1.5oC se sa në atë +2oC. Nëse ngrohja arrin +2oC, mbi 70% e bregdetit të Tokës do të shoh rritje të nivelit të detit mbi 20cm, duke rezultuar në rritjen e përmbytjeve bregdetare, erozionin, kripëzimin e furnizimit me ujë dhe ndikime të tjera tek njerëzit dhe sistemet ekologjike. Me besueshmëri mesatare parashikohet se rritja e ngrohjes, rrit paqëndrueshmëritë e akullit të Antarktikut dhe humbjen e pakthyeshme të akullit të Grenlandës. Kufizimi i ngrohjes në +1.5oC do të zvogëlonte rritjen e temperaturës së oqeanit. Ngrohja po rrit aciditetin e oqeanit global dhe uljen e niveleve të oksigjenit, të cilat paraqesin rreziqe të konsiderueshme për biodiversitetin detar, peshkimin dhe ekosistemet.  

Ndikimet mbi njerëzit dhe ekonominë

Në ngrohjen +1.5oC, rreziqet e lidhura me klimën për shëndetin e njerëzve, jetesën, sigurinë ushqimore, sigurinë, furnizimin me ujë dhe rritjen ekonomike të gjitha do të rriten dhe do të rriten shumë më tepër në ngrohjen +2oC. Popullsitë e pafavorizuara, disa popuj autokton dhe komunitete me mjete jetese të bazuara në bujqësi ose burime bregdetare do të përballen rrezikun më të lartë. Rajonet në rrezik më të lartë përfshijnë ekosistemet Arktike, rajonet e thata, shtetet në zhvillim të ishujve të vegjël dhe vendet më pak të zhvilluara. Disa popullata do të kenë rritje të varfërisë. Kufizimi i ngrohjes në +1.5oC mund të zvogëloi për qindra milionë numrin e njerëzve të ndjeshëm ndaj rreziqeve të varfërisë të lidhura me klimën deri në vitin 2050.

Rreziku i sëmundjeve dhe vdekjeve të lidhura me nxehtësinë do të jetë më i ulët në ngrohjen +1.5oC se sa në +2oC. Qytetet do të përjetojnë ndikimet më të këqija të valëve të nxehtësisë për shkak të efektit të “ishullit të nxehtësisë urbane”, që i mban ata më të ngrohtë se zonat rurale përreth.

Ndikimet do të ndryshojnë sipas rajoneve për shkak të shumë faktorëve të tillë si aftësia e popullsisë për t'u përshtatur me ndryshimet klimatike, cenueshmëria e popullsisë etj. Të moshuarit, fëmijët, gratë, të sëmurët kronik do të jenë më të rrezikuarit. Numri i njerëzve që vdesin nga sëmundjet e transmetuara nga vektorët apo bartësit (mushkaja, protozoa tjera) si malaria, ethet e Dengut, rrezikon të rritet edhe më shumë në ngrohjen +2oC.

Siguria ushqimore pritet të ulet në ngrohjen +2oC në krahasim me atë +1.5oC, me rreziqet më të mëdha në Sahelin afrikan, Mesdhe, Evropë Qendrore, Amazonë dhe Afrikën Perëndimore e Jugore. Rendimentet e grurit, misrit, orizit dhe drithërave tjera do të jenë më të vogla në +2oC ngrohje sesa në +1.5oC. Orizi dhe gruri do të bëhen më pak ushqyes. Disponueshmëria e ushqimit të parashikuar do të jetë më e vogël në ngrohjen +2oC se sa në +1.5oC. Pritet që 7-10% e fondit global të bagëtisë të humbas në ngrohjen +2oC.

Rreziqet për rritjen ekonomike globale nga ndikimet e ndryshimit të klimës do të jenë më të ulëta në +1.5oC sesa në +2oC deri në vitin 2100, me ndikimet më të mëdha që priten në viset tropikale dhe subtropikale të Hemisferës Jugore. Në SHBA, dëmet ekonomike parashikohen të jenë të mëdha. Një studim i vitit 2017 arrin në përfundimin se SHBA mund të humbasin 2.3% të GDP për çdo shkallë celsius të ngrohjes globale.

Një gradë më tepër. Po pse është kaq rrezik +1oC, kur temperaturat brenda ditës lëvizin me disa gradë e brenda javëve dhjetra gradë. Ngrohja globale nuk do ndalet me ikjen e ditëve të nxehta të verës, siç shpesh mendohet kur vijnë ditët e ftohta të dimrit. Ajo grada +1 kaq e rrezikshme për jetën në planetin tonë shkon duke u ngritur ngadalë por sigurt drejt +2oC. A ka filluar numërimi mbrapsht (countdown)? Pika e hyrjes në të panjohurën, madje edhe të pakthyeshmen, tashmë po numërohet me dekada, në një planet ku jeta ka filluar para mbi tre miliard vjetësh.