Shqetësues, numri i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhje
Pajtim Çuni, Radio Kosova
Numri i lartë i fletëvotimeve të pa vlefshme në çdo proces zgjedhorë, është shqetësues për shoqërinë civile. Vetëm në zgjedhjet e fundit lokale ishin rreth 80 mijë vota të tilla. Që ky numër të jetë kaq i lartë, sipas Instituti Demokratik të Kosovës, përveç informimit jo të duhur, ka ndikuar edhe dizajni i fletëvotimeve. Njohës të komunikimit ndërkaq thonë se KQZ duhet hulumtoj këtë fenomen dhe të ndërmerr hapat e duhur për informimin e votuesve.
Gjashtë palë zgjedhje lokale janë mbajtur që nga çlirimi i vendit, e në të gjitha këto ka pasur një numër të konsiderueshëm të fletëvotimeve të pavlefshme. Vetëm në zgjedhjet e fundit lokale ishin rreth 80 mijë vota të tilla. E, që ky numër të jetë kaq i lartë, sipas Eugen Cakollit, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka ndikuar edhe dizajni i fletëvotimeve.
“Problemi kryesor me votat e pa vlefshme është mos shënimi i subjektit politik, por vetëm numri i kandidatëve. Me propozimin e dizajnit të fletëvotimit ne kemi tentuar që përmes disa formave vizuale të hijezimit të rubrikave të subjekteve politike të tentojmë të minimizojmë numrin e votave të pa vlefshme, që në zgjedhjet e fundit kanë qenë mbi 80 mijë, e të cilat janë shpallë të pa vlefshme edhe për shkak të dizajnit jo të mirë të fletëvotimit”, tha ai për Radio Kosovë.
Përkundër propozimit të KDI-së, për ndryshimin e dizajnit të fletëvotimit, KQZ ka vendosur që sërish të përdor dizajnin e njëjtë. E me qëllim të minimizimit të votave të pa vlefshme, Cakolli jep disa propozime për KQZ-në.
“Nuk mund të kemi kampanja shabllone që përsëriten nga zgjedhjet në zgjedhje. Për më shumë, duhet që KQZ të filloj që përmes mesazheve në rrjetet sociale t’i informojë votuesit për mënyrën e votimit dhe të vë theksin tek vota për subjektin politik e cila është esenciale për të caktuar a është një votë e vlefshme apo jo”, tha ai.
Nga ana e tij, profesori universitar i gazetarisë dhe komunikimit, Gëzim Qerimi, pohon se, KQZ duhet të hulumtoj këtë fenomen dhe pastaj të ndërmerr fushata adekuate vetëdijësuese.
“Në radhë të parë mendoj se KQZ duhet të bëjë një analizë për këtë fenomen, për të parë nëse është pakënaqësia qytetarë që i shtynë ata t’i bëjnë fletëvotimet e pa vlefshme apo është injoranca e tyre. Dhe, cilado qoftë, KQZ duhet të përgatis pastaj një fushatë sa më të mirë për informimin e votueseve”, pohon Qerimi për Radio Kosovë.
Megjithëse KQZ para çdo procesi zgjedhor ndërmerr fushata informuese, në zgjedhjet e fundit parlamentare ishin mbi 27 mijë vota të pavlefshme.























