Osmani i uron fat ekipit të filmit “Zgjoi” drejt nominimeve të Oscars 2022

Osmani i uron fat ekipit të filmit “Zgjoi” drejt nominimeve të Oscars 2022

Të mërkurën, Qendra Kinematografike e Kosovës njoftoi se filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli, është zgjedhur si propozim i Kosovës për në Oscars 2022.

Filmi i cili fitoi plot tri çmime në festivalin e rëndësishëm, Sundance Film Festival, ka tashmë rrugën e hapur drejt nominimeve për ngjarjen më madhështore të ndarjes së çmimeve për filma.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, përmes një statusi në rrjetin social Twitter, u ka dëshiruar shumë suksese ekipit të filmit, duke iu uruar fat për në çmimet e Akademisë.

“Është zyrtare. Aplikimi i Kosovës për Oscars është “Zgjoi (Hive)”. Përveç të qenit një kryevepër, kjo histori e luftës dhe këmbënguljes është një frymëzim. Fat të mbarë Blerta Basholli dhe ekipit. Fituesi i trefishtë i Sundance, ‘Hive’ është zgjedhur si Pretendues Ndërkombëtar i ‘Oscar’-it”, shkruhet në postimin e presidentes.

Vjosa Osmani përndryshe e kishte dekoruar regjisoren Basholli në fillim të këtij viti me “Medaljen Presidenciale të Meritave”.

Ky nderim erdhi në sajë të suksesit që filmi “Zgjoi” shënoi në festivalet ndërkombëtare dhe vendore, veçanërisht në Sundance Film Festival.