Qendra e Studentëve hapë konkursin më 13 shtator
Albana Bajrami, Radio Kosova
Qendra e studentëve të Universitetit të Prishtinës, do të hapë konkursin më 13 shtator për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë, për vitin akademik 2021/2022.
Drejtori i Qendrës, Fatmir Sfishta, bëri të ditur për Radio Kosovën se konkursi do të shpallet për 4 mijë vende, aq sa është edhe kapaciteti i plotë. Ndërkohë, ata që pranohen, duhet të kenë dëshminë e vaksinimit ose testin PCR.
Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës, këtë vit do të pranojë rreth 4 mijë studentë, për të cilët ofron strehim, ushqim si dhe hapësirat për lexim, studim, sport dhe aktivitete të tjera.
Drejtori i Qendrës, Fatmir Sfishta, tha për Radio Kosovën, se në koordinim me Ministrinë e Arsimit, kanë vendosur që sivjet nuk do të jetë numri i përgjysmuar i studentëve që pranohen, ndërsa sqaroi se ata që pranohen, duhet të kenë dëshminë e vaksinimit ose ta kenë testin PCR çdo 72 orë. Sishta, theksoi se pothuajse pjesa më e madhe e stafit të qendrës është e vaksinuar.
Drejtori Sfishta, bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet duke u bazuar në rekomandimet e institucioneve shëndetësore për të respektuar masat anti-Covid. Ndërkaq, sa i përket ushqimit të studentëve në mensë, ai tha se nuk do të grumbullohen, por do të organizohet ushqimi merr me vete.
Sfishta, tha se kriteri bazë për pranim është që kandidati të jetë student i rregullt i Universitetit të Prishtinës, të jetë 25 kilometra e tutje nga kryeqyteti, nota mesatare, si dhe përparësi në pranim kanë studentët që i përkasin kategorive të dala nga lufta dhe ata me gjendje të rëndë ekonomike.
Ai gjithashtu, theksoi se përparësi në pranim kanë edhe studentët e Fakulteteve të Mjekësisë, atij Teknik dhe të Shkencave Matematikore-Natyrore, të cilët e kanë notën mesatare 9.0 pranohen automatikisht në qendrën studentore.
Ndërsa, edhe studentët e fakulteteve të tjera që kanë notën mesatare 9.5 do të pranohen automatikisht. Konkursi do të shpallet më 13 shtator, ndërsa çmimi për banim në konvikte do të jetë 35 euro për muaj, 20 euro banimi dhe 15 euro ushqimi.























