Covid 19 – dëshmi e  pafuqisë së njeriut

Covid 19 – dëshmi e  pafuqisë së njeriut

Ballsor Hoxha

Paranojat e këtyre ditëve janë thirrje e njeriut!

Çka është duke ndodhur me njeriun, me njerëzimin kur, ndër shumë konspiracione të tjera lidhur me Covid, beson, edhe se ai është inxhinieruar për të zhdukur të moshuarit si barrë e shteteve të zhvilluara; apo se është konspiracion për të vendosur çipa teknologjik në njeriun!

E para gjë që shpjegon këtë ankth dhe paranojë të njerëzimit është teoria bashkëkohore, se tashmë realiteti imiton, dhe identifikohet me vetë projektimet e veta (që i bie faza e fundit e skizofrenisë). Imiton dhe identifikohet me filmin, imagjinatën dhe vetë simulimin e realitetit. Gjëra që janë thënë qysh në fillim të përfundimit të shekullit dhe mileniumit të kaluar, dhe tashmë janë pjesë e jetës sonë.

Por kjo, teori, filozofi dhe ky -kalim i jetës sonë në imagjinare (skizoidësi) nuk ka lindur aty-për-aty. Është ajo që Heidegger qysh në vitet e pesëdhjeta kishte këshilluar lidhur me atë që atëherë njihej si kibernetikë, e tashmë është teknologji: se tërë ajo që mund të prodhojë njeriu qoftë edhe teknologjia, është njeriu dhe mendja e tij, përsëritja e tyre. Nga Toka, nga Bota nuk mund të lind diçka e jashtme prej saj. E tëra është dëshira e njeriut për të parë veten e tij, qoftë në kontroll e qoftë me kontroll.

Dhe duke u kthyer në realitetin tonë sot, përmes këtyre dy teorive të lartcekura, pra asaj bashkëkohore se realiteti imiton projektimin tonë (si skizofreni), dhe vërejtjet e Heidegger për përsëritjen e njeriut në teknologji, ne tashmë jemi dëshmitarë të eskalimit të teknologjisë. Ajo është mbi ne, dhe prej faktit që na përgjon në çdo bisedë e qoftë edhe dëshirë tonën më të shfrenuar, përmes telefonave tanë e deri tek rrjetet sociale. Deri tek fakti që dhunshëm na shtynë të dëshirojmë e të veprojmë bartur nga këto imponime. Pra në një mënyrë apo tjetrën i kemi besuar projektimit tonë, derisa realiteti është duke degraduar.

Në këtë, le t’i kthehemi dy konspiracioneve, ndoshta më të përhapur në njerëzim lidhur me Covid (dhe vaksinimin kundër tij e trajtimin e tij). Këto dy konspiracione, i pari për zhdukjen e pleqve dhe i dyti për implantimin e çipave në njeriun dhe njerëzimin si kontroll: shikuar nën skizofreni që ia kemi shkaktuar vetes, këto janë ekzakt rikthimi i instinktives, dhe mbizotërimi i instinktives në njeriun.

Nëse konspiracioni “për zhdukjen e pleqve me Covid si barrë e shteteve të zhvilluara” është në mesin tonë, edhe si paranojë, por edhe si bindje e besim, e besimi duke qenë ajo që thotë Kierkegaard: aty ku përfundon arsyeja, këto jemi ne!. Duke qenë në mesin tonë, ky konspiracion, nuk mund të zhbëhet dhe as të harrohet, në të vërtetë ai është ajo që po na ndodhë e ajo që po e bëjmë të ndodhë, qoftë si paranojë e qoftë si besim. E kjo është Bota jonë.

Por nëse marrim guximin të përsiatim rreth kësaj bote, sipas Heidegger që e sheh atë si sajim dhe ndërtim njerëzor, sajim pavarësisht dhe si derivim prej përvojës së njeriut në Tokë, shohim se kjo Botë, është një dhe e vetmja pafundësi e ankthit dhe anktheve të njeriut. Është shtjellë e pambarim e pa – fund dhe e pa-fillim! Një hapje dhe çarje e pafund e të vërtetës dhe e padrejtësisë së të vërtetës, apo të vërtetës si qëllim.

Konspiracioni i lidhur me pleqtë shfaqë gjurmën e një të kaluare, apo qoftë edhe të ardhmeje ku dëshira, latente, që shprehë – barrën –  e pleqve, e kjo duke kujtuar kohërat e kaluara të ankthit të thellë e me përmasa katastrofale në njerëzim, dëshirë që në të vërtetë, në latencë thirr për riorganizim të njerëzimit dhe aq më shumë mobilizim të njerëzimit. Dhe, përpos dëshirës, është edhe balancë me Kujdesin (sipas Heidegger) të njeriut për njerëzimin brenda Botës dhe Tokës. Ngjanë paradoksale, por është mobilizim instinktiv, përtej jetës siç e njihnim dhe siç na është mësuar. Aq më shumë kjo mund të ilustrohet me kohën kur ishte shpallur nga shumë shtete më të avancuara në mjekësi etj, ku propozohej që shoqëritë e tyre të vazhdojnë jetën, dhe punën, me gjithë pandeminë, për të mbijetuar shoqëria, derisa më të – dobëtit – do të duhej të ruheshin vetë apo edhe të vuanin deri në fund.

Dhe konspiracioni tjetër lidhur me futjen e çipave në ne përmes vaksinimit, që do të thotë, qoftë si imitim i projektimit tonë (posaçërisht marrë nga filmi), e qoftë si instinktive që rikthehet nga ankthi i vdekjes nga rreziku masiv prej Covid, është në të vërtetë ankthi nga kontrolli. Sa më e përhapur dhe më e rrezikshme sëmundja e Covid, aq i madh po bëhet kontrolli ndaj njeriut, dhe aq më legjitim po bëhet ky kontroll.

E të dyja bashkë këto paranoja, nuk janë gjë tjetër pos rikthimit të instinktit të njeriut, trashëgimisë së tij të mbijetesës në këtë Tokë, për të na rikthyer Kujdesin ndaj kërcënimit që po e -kalojmë. Janë thirrje e instinktives për të na bërë të (kthehemi) të vetëdijshëm që dhembja, esencialisht, fizike dhe psikike, ka eskaluar.

Si çdo gjë tjetër, dhe pa e ekzagjeruar apo nxitur imagjinatën, paranoja është gjurmë e thirrjes së njeriut i cili ka humbur realitetin dhe kontaktin me atë. Dhe është vërejtje se po ndryshon natyra e tij.

Dhe këto dy konspiracion, këto dy paranoja janë vetë ankthi i njeriut, i përkthyer dhe i transformuar nga aktualja jonë dhe nga dhembja jonë.

Dhe, si dhembje, të dyja këto konspiracione shfaqin pragun e vdekjes, afërsinë e saj, rikthimin e saj në jetën tonë.

Në të vërtetë, si filmi, si teknologjia dhe aq më shumë imitimi i projektimeve tona në jetën tonë sot, janë zgjatja dhe stërzgjatja e të – tashmes – si e përhershme e jona. Si zhbërje dhe ikje nga ankthi i vdekjes, prania e saj dhe mundësia e saj. Por kjo përhershmëri është thyer, së paku për kohë shumë të gjatë edhe pasi që të kalojë Covid, dhe ne do të na duhet të jetojmë me të.

Në fund, arsyeja e kësaj sprove është që të rishikojmë mundësinë që po e njëjta tragjedi, kërcënim në njerëzim dhe vdekje në afërsinë tonë, të mos eskalojë në skizofreni edhe më të thellë, duke e përsëritur pikërisht atë që ka ndodhur në Kosovë, pas luftës e këndej: - çarja – e humanes dhe solidaritetit, harrimi i plagëve të luftës përmes luftës për pushtet e pasuri!