COVID 19 - dëshmi e pafuqisë së njeriut (pjesa e dytë)

COVID 19 - dëshmi e pafuqisë së njeriut (pjesa e dytë)

Ballsor Hoxha

Të gjitha paranojat, konspiracionet dhe ankthet që kanë marrë legjitimitet dhe argument gjatë pandemisë, ndoshta edhe janë - e vërteta. Nëse jo direkt, së paku si konfuzion apo parandjenjë e një ndryshimi (nëse jo tmerri) që po ndodhë!

Është pyetje aq e thjeshtë, dhe shumë e rëndësishme për të pranuar këtë ankth rrënjësisht të përhapur në njerëzim, e në shoqërinë tonë: a mund të mendojë njeriu diçka që nuk është? Apo, thënë direkt, a ka një mundësi që këto paranoja e këto konspiracione të përmbajnë të vërtetën? Të jenë e vërteta e fshehur nga vetë vetëdija jonë, për të mos kuptuar atë që është duke ndodhur?

Le të nisemi nga burimi i Covid 19. Sipas të gjitha medieve të rëndësishme dhe serioze në glob, ai ka lindur dhe është në mesin tonë si përpjekje për të ndaluar po të njëjtin. Aq më shumë dhe aq më saktë, ai është – me të vërtetë – i inxhinieruar në laboratorë. Assesi në vazhdë të konspiracioneve, por si metoda e vetme e mjekësisë sot për të parandaluar, pikërisht, përhapjen e një virusi si Covid. Është virus i cili është ushqyer nga vetë mjekësia, sigurisht, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e tij.

Në të vërtetë, duke e përsëritur, ky fakt është në të gjitha mediet globale, dhe metoda mjekësore dhe hulumtuese mjekësore globale sot është kjo: inxhinierimi i viruseve të rënda dhe të rrezikshme për njerëzimin, për të gjetur antidotin e tyre, dhe me këtë për të parandaluar, pikërisht këtë që po ndodhë: pandeminë/pandemitë!

Por, pyetja, prej ku duhet të nisemi, në tërë këtë tragjedi, është: çka nëse nuk dimë, nuk jemi të përgatitur, nuk kemi zgjidhje për fenomene si Covid? Çka nëse njerëzimi nuk din.

Është shumë e thjeshtë, nëse nuk kemi zgjidhje për fenomene të tjera si lufta, apo vetëm ISIS, apo qoftë për padrejtësinë, viruset si Covid etj, janë shkencë e raketave për njerëzimin!

Sigurisht, këtu, në këto pyetje përballemi me urgjencën dhe vdekshmërinë e njerëzimit nga Covid. Por në të vërtetë këtu hapet konflikti, posaçërisht ky që po ndodhë gjatë kësaj tragjedie të njerëzimit, në të gjitha fushat e jetës dhe në të gjitha rajonet e botës, në të gjitha versionet e tij: konflikti ndërmjet kujdesit fizik ndaj njeriut/njerëzimit, apo kujdesit shpirtëror ndaj njeriut/njerëzimit.

Nuk është aq e lehtë të zgjidhet ky konflikt, pavarësisht reagimit që nxitë, e qëndrimit global, të shkencës, mjekësisë e qeverive e liderëve global.

Në të vërtetë ky konflikt hapë edhe më thellë këtë apori: nëse fizikja njerëzore, pra shëndeti i organizmit të njeriut, është primar në rëndësi, pavarësisht ekonomisë e mirëqenies së njeriut, çka është duke ndodhur me psikën apo me shpirtëroren e njeriut?

Derisa jemi duke krijuar tampon zonën dhe imunitetin fizik të njerëzimit, paranoja dhe konspiracinet, aq më shumë skizofrenia globale është shumë më e përhapur se pandemia e Covid.

Paranoja si, vendosja e çipave të kontrollit mbi njerëzimin përmes vaksinave; paranoja si, përhapja e virusit përmes rrjetit kinez 5G të internetit, pra përmes antenave dhe përmes internetit; paranoja si, virusi të jetë planifikim i shteteve të zhvilluar për të hequr barrën financiare ndaj pleqve; etj, janë aq të përhapur në njerëzim sot. Janë aq të besuara në njerëzimin sot. Janë aq të ngulitura në njerëzim sot, sa që do të ketë një reaksion tejet, tejet të rëndë në vetë ne. Një bumerang ndaj vetë njerëzimit, dhe represionit të psikikes përkundër fizikes.

Duke rrezikuar qoftë edhe të qenit tërësisht ekstrem, është shumë lehtë të hapet ky ankth i njerëzimit nga të qëmtuarit e këtyre paranojave:

1. të tri këto që u morën shembull burojnë nga një ankth i vetëm: ndryshimi i njerëzimit dhe Botës (sipas Heidegger), ndryshimi i vetë kognicionit të njeriut, qoftë duke kaluar në selektive edhe më të kufizuar, e qoftë duke kaluar në vetëmbrojtje

2. këto paranoja shumë të përhapura në njerëzim, të gjitha, në të vërtetë janë direkt të lidhura me ndryshimin: çipat, antenat, dhe planifikimi i zhdukjes janë direkt të lidhura me teknologjinë, qoftë edhe i fundit në këto shembuj, duke qenë se planifikimi i zhdukjes së pleqve shprehë pikërisht ankthin nga këto ndryshime, ankthin e të ndryshuarit, apo thënë më saktë – parandjenjën e vdekjs apo ndryshimit të njerëzimit.

3. janë ankthi i këtij ndryshimi duke parandier zhvendosjen e kontrollit, posaçërisht atij individual. Etj.

Kjo është saktësisht ajo që po ndodhë: nën ankthin e përgjegjësisë për njerëzimin, shtetet, mjekësia dhe shkenca në përgjithësi, po e zhbëjnë pavarësinë e individit, e qoftë edhe të kolektiveve e të shoqërive.

Nuk ka vend dhe asnjë etikë të aludohet në luftë institucionale ky fenomen i zhbërjes së individit. Është gjë tejet e rrezikshme dhe aq më shumë e pabazë.

Por, zhbërja e individit, është duke ndodhur. Zhdukja e, jo vetëm pleqve, por edhe e shkollave e kopshteve fëmijërore është duke ndodhur, qoftë si masë parandalues e qoftë si diçka që po vazhdon për dy vite!

Çka nëse, virusi i cili atakonte vetëm të moshuarit dhe të rriturit, tashmë ka kaluar në një version edhe më të rëndë ku më të rrezikuarit janë fëmijët dhe gratë shtatzëna. Çka nëse po i njëjti pëson permutacionin e radhës dhe kalon në kafshë? Apo, a nuk është kjo e logjikshme, derisa po përfshinë tërë botën tonë.

Çka nëse ka kaluar kohë, gjë që duhet të na shtyjë të mendojmë edhe për të ardhmen?

Çka nëse, psikikja (apo shpirtërorja) janë sëmurë shumë më rëndë gjatë kësaj kohe.

Ndoshta, duhet të pranojmë tërë dijen dhe përvojën tonë me paranojat njerëzim, për t’u përballur me po të njëjtat, t’i pranojmë si e vërtetë e ankthshme, apo thirrje dhe zë i brendshëm për kujdes e kërcënim tonin.

Ndoshta, derisa masa më e madhe e njerëzimit, beson në masonë e iluminati, para vetë shteteve të tyre e asaj që e kanë para, si përvojë apo dije, ne edhe jemi në skizofreni tanimë.