Covid 19 - dëshmi e pafuqisë së njeriut (pjesa e tretë)

Covid 19 - dëshmi e pafuqisë së njeriut (pjesa e tretë)

Sigurisht që jemi vetëm në këtë Tokë! Sigurisht që i vetmi zë që do ta dëgjojmë do të jetë ai i yni! Por a jemi duke e dëgjuar atë në të vërtetë? A jemi duke e dëgjuar veten? A duhet në të vërtetë të fillojmë trajtimin global të vetes sonë? Skizofrenia kolektive globale e jona është diagnozë qe një kohë të gjatë brenda nesh. 

Shkruan: Ballsor Hoxha

Çka e bën një ankth paranojë? Të qenit i bartur nga ajo, e më tutje të besuarit të saj deri në delusion?

Apo, është kriza e vetëdijes? Por, vetëdija, në të vërtetë, nëse qëmtohet sikur në filozofinë e Heidegger, është shtjella e Publikes së përbrendësuar në ne, dhe në fund del të jetë vetëm zëri i saj, tutje si zë i sajuar në ne! Që do të thotë, është vetëm reflektim, në fund të fundit, por i paqenësishëm!

A nuk janë të gjitha simulimet e realitetit, vetë paranoja, dhe vetë reflektime të asaj – që flitet e themelohet mes nesh – e që në fund është këputje e dijes, njohjes dhe aq më shumë mundësisë së bartjes së kësaj njohjeje. Si perceptim dhe si gjykim. Projektim (pikërisht siç e quan Heidegger, gjuhën artin, poezinë dhe të Kuptuarit në të vërtetë)! 

Le ta marrim shembull një paranojë krejtësisht të largët nga pandemia, por brenda tmerrit të ndryshimit të njerëzimit: ende besohet se vetë “Amerika” apo, bashkë me Izraelin, kanë planifikuar rrënimin e Twin Towers; se kanë shkaktuar një prej tragjedive më të mëdha në njerëzim për kah tmerri dhe tronditja, në vetë veten e tyre.

Ajo që është më e saktë ndër të gjitha ato që dihen nga kjo paranojë, është se pesha e këtij akti ishte shumë më e rëndë se që mund të bartë njerëzimi.

Se bombardimi ishte/është ende, tragjedia më e paparashikuar dhe më e pakapshme për njerëzimin. Dhe atë pavarësisht fuqisë apo pafuqisë së Amerikës dhe terroristëve, por saktësisht, si ndryshim i sjelljes së njeriut. Dhe atë me ndihmën e obsesionit dhe fiksimit tonë më të madh aktual – teknologjisë!

Janë gjithnjë të pandashme, ndryshimi i njerëzimit, Botës sonë, dhe teknologjia. Janë gjithnjë në kohën më të re të njerëzimit. Dhe janë gjithnjë para, përbrenda dhe prapa të dyjave, ndryshimit të botës sonë.

Por megjithatë, paranoja e marrë shembull këtu, dhe aq më shumë të gjitha që kanë pasuar dhe kanë përmbytur psikën e njerëzimit që nga kjo ngjarje, e deri tek paranojat të cilat po shtjellojmë s shembull këtu, si ajo për zhdukjen e pleqve dhe ajo për vendosjen e çipave në ne përmes vaksinave, janë, edhe vetë e vërteta jonë (siç u cek në shkrimet e kaluara). Por, janë edhe pamundësia për të bartur tërë “historinë që po e prodhojmë”, dhe pamundësia për të perceptuar dhe gjykuar (për të mbajtur kognicionin tonë). 

Apo, thënë saktë, si edhe në pjesën e parë, e tëra është ajo që e kemi parë në filma, në simulimet tona të realitetit, e deri tek parashikimet e shkencës. Janë vetë humbja e afektit ( si në skizofreni) ndaj realitetit tonë. Janë të besuarit, dhe harrimit tonë brenda një skute në imagjinatën tonë, e cila ka burimin e saj në të vërtetën tonë, por që nuk arrin të bartet dhe shprehet saktë.

Nëse “Amerika”, apo edhe ajo bashkë me Izraelin, shkaktuan tragjedinë më tronditëse në bashkëkohësinë tonë, siç e parandien paranoja si diçka të ankthshme deri në deluzion (të besuar të kësaj paranoje), kjo në të vërtetë, qoftë si politikë e taborit armik të “Amerikës”, e qoftë edhe si ankth ndaj vetë tronditjes, është gjurmë e ankthit të njeriut – ndryshimit! Nëse “Amerika” përenda skemës së kësaj “politike” krijon argumentin për të mbrojtur territorin e vetë, etj, ajo në të vërtetë po e bën këtë përmes – shkatërrimit - të vetë sigurisë së saj. Apo, në të kundërtën, nëse ajo përbrenda kësaj skeme të “politikës” po e siguron territorin e saj përmes një argumenti si kjo tragjedi, ajo e ka zhbërë pikërisht territorin e saj, duke e kaluar sigurinë dhe ‘luftën’ në zonë dhe territor të paparashikueshëm dhe të pambrojtshëm. Jo, kjo paranojë, nëse e marrim si parandjenjë, apo qoftë si ankth i të qenit në afërsi me zhdukjen dhe vdekjen, e përmban të vërtetën në atë se saktëson – ndryshimin. Qoftë të kognicionit të njeriut, qoftë të territorit të tij, dhe me këtë të sigurisë apo kontrollit të tij. Pra, në fund, kjo paranojë është vetë ndryshimi, dhe katastrofa e një ndryshimi në njerëzim! Qoftë në bartjen e luftës në një territor dhe front të paparashikueshëm, e qoftë në totale të tërë njerëzimit, pa dallim të palëve luftuese!

Le ta bartim këtë zanafillë të paranojës globale, si parandjenjë e ndryshimit të njeriut dhe të njerëzimit, përbrenda pandemisë në të cilën gjendemi: a nuk është e tëra një e vërtetë e mundshme: se njeriu dhe njerëzimi po ndryshon gjykimin e tij, dhe aq më shumë perceptimin e tij!

Nëse është thënë dhe më saktësisht besuar, se një antenë diku në Kinë mund të bartë virusin diku në Korçë, apo në Shtime të Kosovës, kjo është ekzakt, jo vetëm parandjenja e ndryshimit, edhe të luftës (nëse nuk mundemi pa të, apo pa e shprehur në këtë mënyrë), dhe edhe të qëniesimit të njeriut. Por edhe e paparashikueshmërisë së këtij ndryshimi. Gjë që është ekzakt ankthi ndaj ndryshimit.

Le ta shohim këtë prej fakteve që dihen rreth paranojës lidhur me Twin Towers: së pari, po i njëjti akt, kishte qenë film. Dhe është më se e qartë se ideja e terroristëve kishte ardhur nga vetë filmi produksion amerikan. Pastaj kishte ndodhur tragjedia. Dhe më pastaj edhe kriza e vetëdijes globale. Kjo e tëra është në të vërtetë, parandjenjë, e një kërcënimi, e shumë kërcënimeve, nga të gjitha anët, dhe me këtë vetë paparashikueshmëria. Apo, e shtjellës së ndryshimit në njeriun. Apo edhe më tutje, fascinimit të njeriut me vetë teknologjinë, dhe pushtetin e kontrollin përmes saj. E në fund edhe thyerje, çarje dhe shkatërrim i vetëdijes, si zë i Publikes sonë, deri para këtij akti, apo edhe para pushtetit të teknologjisë.

Nëse tashmë është thyer, çarë e shkatërruar vetëdija Publike e cila e qarkullonte njerëzimin dhe të cilën e qarkullonte dhe e bartte njerëzimi, ajo do të ndërtohet, pikërisht, nga ne! Do të jetë zëri i represionuar i ynë për të thënë të vërtetën, qoftë nën konfuzion, e qoftë direkt.

Në një mënyrë, me gjithë guximin e këtij elaborimi, qoftë edhe si spekulim, të gjitha këto paranoja, që është thënë se janë parandjenjë e ndryshimit të njeriut, janë gjurmë e çarjes së të “përhershmes” së njeriut. Çarjes së kontrollit të njeriut. Çarjes së pushtetit të njeriut. Dhe parandjenjë se megjithatë jemi të përkohshëm, apo thënë saktë të pafuqi!

Duke i marrë si shtjellë këto paranoja në fjalë, prej asaj për ‘vetëvrasjen’ kolektive amerikane, e deri tek shpërndarja e – kërcënimit për jetë – nga antenat e 5G kinez, përpos që ne jemi duke e bartur edhe reflektimin dhe edhe zërin e vetëdijes në rrënim, të njerëzimit, nga filmi e tutje në realitet, ne, apo ata që janë më të ndjeshmit, më të cenuarit dhe më në ankth, me këtë po hapet një vetëdije/zë i ri. Vetëdije/zë qoftë i sëmurë deri në deluzion e skizofreni, e qoftë autentik deri në ankthin më të thellë të njeriut – ankthin ndaj vdekjes!

Në të vërtetë, ndryshimi nuk është ndryshim nëse është i kontrollueshëm, përndryshe ai është plan proces e kalkulim, qoftë edhe teknologjik. Derisa ndryshimi që po parandihet nga masa të tëra të njerëzimit, përmes paranojave, është dezintegrimi i vetëdijes, së kaluar apo asaj universale, siç mendohet. 

Në të vërtetë kjo është sëmundje psikike globale, apo thënë më saktë krizë globale psikike. E pabartshme për njeriun. Ndoshta, edhe duhet të trajtohemi një ditë, ndoshta edhe duhet të kërkojmë ndihmën, e ndoshta ndihma është pikërisht ndalja dhe marrja në konsideratë e vetë shkencës dhe mjekësisë, apo përkundrazi të vetëdijes sonë (nëse ka mbetur prej saj ndonjë gjë), për të jetuar edhe me Covid!