Sot mblidhet sërish KQZ, a do të diskutohet për fushatën zgjedhore?
Vetëm një ditë pasi u vendos që Zgjedhjet Lokale të mos shtyhen, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Gjatë ditës së sotme, e martë, ky institucion pritet të mblidhet ku do të vendoset për disa çështje që kanë të bëjnë pikërisht me zgjedhjet e 17 tetorit.
Në këtë mbledhje, KQZ-ja pritet të vendosë për numrin e fletëvotimeve të cilat do të shtypen për Zgjedhjet Lokale 2021. Në rendin e ditës për këtë mbledhje nuk është paraparë të diskutohet për fushatën zgjedhore, e cila do të nisë pas dy ditësh dhe nuk dihet nëse kjo temë do të shtrohet për diskutim.
Partitë politike opozitare e kanë ngritur çështjen e shkurtimit të fushatës zgjedhore apo të gjetjes së mënyrave të tjera të zhvillimit të saj, pasi që periudha prej 30 ditësh mund të ndikonjë në shtimin e rasteve të infektimit me COVID-19.























