Rikthimi i Talibanëve në Afganistan
Sharr Travel

Rikthimi i Talibanëve në Afganistan

Shkruan: Rilind Gërvalla

Afganistani është shtet në jug të Azisë që kufizohet me Pakistanin, Iranin, Turkmenistanin, Uzbekistanin dhe Taxhikistanin dhe banohet nga etnitë e shumta që dallojnë në gjuhë, kulturë e zakone.

 

Si shtet me koncept dhe praktika islame, afganët e konsiderojnë veten si popull me ndjenjë të fortë nderi, mikpritjeje dhe besnikërie. Afganistani ka rreth 30 milionë banorë e mosha mesatare e popullsisë, mbi 60%, janë të moshës 25 vjeçare. Vlen të theksohet se Afganistani është shtet i mbi 14 fiseve krahinore dhe disa grupeve pakicash. Komuniteti shumicë vjen nga fisi Pashtun, më pas janë Balokët, Nuristanët, Taxhikët, Uzbekët, Turkmenët, Hazarasit, etj, dhe mbi 70% e popullsisë jetojnë në zona rurale dhe malore.

 

Përmbledhshim, si u bë që Talibanët të fusin nën kontroll tërë Afganistanin dhe kush janë ata?!

 

20 vite pas sulmeve terroriste në Amerikë (Kullat Binjake, Pentagoni), Talibanët e marrin pushtetin në Afganistan, menjëherë pas tërheqjes së trupave amerikane të cilat cak kishin eliminimin e celulave të Organizatës terroriste Alkaida, më vonë edhe të ashtuquajturit Shteti Islamik (ISIS), dy organizata këto terroriste të shpallura nga SHBA-të dhe bota perëndimore e me të cilat bashkëpunonin Talibanët.

 

Talibanët u themeluan nga Mulla Muhamed Omari, një anëtar i fisit Pashtun në Afganistanin jugor, i cili u bë komandant i muxhahedinëve në luftën kundër sovjetikëve gjatë fundviteve të 80-ta, më saktësisht në vitin 1989.

Duke qenë se Afganistani ka popullatë fisnore të ndarë në krahina, Pashtunët përbëjnë mbi 40 për qind të banorëve të Afganistanit, ndikimi i tyre është shumë i madh. Një pjesë e këtij komuniteti etnik jeton edhe në Pakistan e Iran.

 

Në vitin 1994, Mullah Omari e formoi fillimisht grupin e tij prej 50 personave në Kandahar, e të cilët luftonin krimin e pasluftës sovjetiko-afgane 9 vjeçare.


Talibanët, që në përkthim do të thotë "studentët", pra ndjekësit e mësimeve nga Mullah Omari, brenda dy viteve (1994-1996) arritën ta kontrollojnë Kandaharin dhe kryeqytetin Kabul.

Talibanët vendosën me shpejtësi rregulla të rrepta, sipas tyre me bazë islame, duke ndaluar televizionin dhe muzikën, duke i ndaluar vajzat dhe gratë të shkonin në shkollë dhe duke i detyruar gratë të mbanin mbulesa nga koka deri te këmbët (burkat).

Po këta Talibanë e siguruan Bin Ladenin që të fshihej dhe trajnonte pjesëtarët e organizatës terroriste Alkaida të cilët planifikuan sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

Kur talibanët refuzuan të dorëzojnë krye-terroristin Osama Bin Laden tek forcat e SHBA-së, që kishin lokalizuar vendndodhjen, forcat amerikane ndërhynë dhe pushtuan Afganistanin dhe shumë shpejt rrëzuan qeverinë e Mullah Omarit.

 

Mullah Omar dhe udhëheqës të tjerë talibanë ikën në Pakistanin fqinj, dhe që nga ajo kohë nuk ndaluan mobilizimin për kryengritje me qëlllim rikthimin e pushtetit në Afganistan.

 

Administrata amerikane që fillimisht filloi duke e instaluar një administratë të përkohshme afgane, ndihmoi gjithashtu që të zhvillohen zgjedhjet demokratike në vitin 2004, ku si president u zgjodh Hamid Karzai që qëndroi në pushtet nga 22 dhjetori 2001 (qeveria e përkohshme) e deri në shtator të 2014-tës, ku u mposht nga Ashtraf Ghani. Që të dy presidentët vijnë nga fisi Pashtun.

 

Në shkurt të vitit 2020, SHBA-të dhe Talibanët nënshkruan një marrëveshje historike që përcaktoi një afat 14-mujor ku Amerika u zotua që do të tërhiqte të gjitha forcat e saja nga Afganistani. Në ndërkohë zhvilloheshin edhe bisedimet midis talibanëve dhe qeverisë afgane, që kishin për qëllim përfundimin e konfliktit mes fiseve dhe pushtetit që kishte dalur nga zgjedhjet demokratike.

 

Përsërisim, Talibanët synonin rivendosjen e versionit të tyre të pushtetit me bazë islamike në të gjithë Afganistanin.

Së fundmi, udhëheqësit talibanë thonë se duan të krijojnë një qeveri gjithëpërfshirëse që nuk do të jetë kërcënim për Perëndimin.

Por, Talibanët nëpër prononcimet e tyre kanë thënë gjithashtu se afganët nuk kanë pse të frikësohen nga sundimi i tyre dhe se do të amnistohen të gjithë ata që kanë punuar për qeverinë dhe pushtetin e Karzait dhe Ghanit.


E në terren, gjendja po shfaqet ndryshe. Afganët që ikën nga zonat e kontrolluara nga talibanët, ose jetuan nën kontrollin e tyre thonë se janë dëshmitarë të dhunës talibane ndaj civilëve, grave dhe ekzekutimeve të ushtarëve.


Lideri taliban Mullah Omari vdiq në vitin 2013, por talibanët nuk e njoftuan vdekjen e tij deri në 2015.

Gjatë administratës Trump në vitin 2016, një sulm me dronin amerikan në Pakistan vrau pasardhësin e Mullah Omar, Mullah Akhtar Mohmmad Mansour.


Që atëherë, grupi është udhëhequr nga Mawlawi Haibatullah Akhundzada, një Pashtun nga Kandahari, i cili dikur drejtonte gjykatat islamike të Talibanëve.

Talibanët kanë një këshill udhëheqësie në Pakistan të njohur si Kueta Shura,  i përbërë nga Veteranët luftëtarë të cilët planifikojnë dhe ekzekutojnë vendimet.

Fytyra publike e Këshillit është kreu i krahut politik, Mullah Abdul Ghani Baradar, i cili udhëhoqi bisedimet me SHBA-të për t'i dhënë fund përfshirjes së Amerikës në luftën 20-vjeçare.

 

Talibanët mbështetjen financiare e gjejnë në tregtinë ilegale të drogës në Afganistan.

Grupi vendos taksa për kultivuesit e lulëkuqes (hashashit) dhe prodhuesve të heroinës që punojnë në shumë zona të Afganistanit.

Talibanët gjithashtu vendosin taksa për bizneset, përfitojnë nga tregtia e karburanteve në zonat kufitare, e nën ndikimin e tyre operojnë shumë miniera ilegale të arit dhe litiumit në vend. Grupi merr fonde të jashtme nga mbështetësit në Pakistan dhe shteteve të Gjirit Persik. Studiuesit e Organizatës së Traktatit të Atlantikut vlerësojnë se talibanët mbledhin fonde deri në 1. 6 miliardë dollarë në vit.

 

Shtetet e Bashkuara shpenzuan biliona dollarë duke u përpjekur për të stabilizuar Afganistanin dhe për ta parandaluar atë të bëhet një vend i sigurt për grupet terroriste si Al Kaida ose i ashtuquajturi Shteti Islamik, të cilat planifikonin sulme kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Rrëzimi i shpejtë i qeverisë afgane të Ashtraf Ghanit që mbështetej nga SHBA-të mund të jetë goditje politike ndaj ndikimit dhe interesave perëndimore në rajon, ku Pakistani, Kina, India dhe Rusia tashmë kanë interest e tyre strategjike.

Përderisa talibanët janë zotuar të parandalojnë grupet ekstremiste që të gjejnë strehë në Afganistan, zyrtarët perëndimorë shqetësohen se grupi nuk do të përmbushë premtimet dhe thonë se qindra anëtarë të Al Kaidës tashmë jetojnë në zonat që kontrollohen nga talibanët.

 

Forcat talibane përfituan nga tërheqja e ushtrisë amerikane dhe futën nën kontroll pothuajse tërë Afganistanin. Një marrëveshje midis administratës Trump dhe talibanëve në shkurt të vitit 2020, e cila përfshinte tërheqjen e trupave amerikane pa pëlqimin e qeverisë afgane, i trimëroi talibanët.

Gjithashtu, vendimi i Presidentit Biden këtë vit për të tërhequr të gjitha trupat pa kushte deri në shtator, i inkurajoi edhe më tej talibanët që të shtyjnë para ofensivën e tyre kundrejt forcave të sigurisë qeveritare. Por, nëntë ditë pas ikjes se presidentit të dytë afgan Ashtraf Ghani talibanët “pushtuan” të gjithë vendin.

 

Talibanët thanë se u kishin dhënë urdhër luftëtarëve të tyre që të mos hynin nëpër shtëpi pa lejen e pronarëve dhe se forma e qeverisjes së re do të shpallet së shpejti.

Zëdhënësi i talibanëve Mohammad Naeem në prononcimet mediatike thotë se grupi dëshiron marrëdhënie paqësore me vendet e tjera.

 

Mijëra Afganë, megjithatë, rrethuan aeroportin në Kabul, duke u përpjekur dëshpërimisht për të ikur nga vendi duke përdorur avionët ushtarak ose fluturimet komerciale.

Disa ditë pas, dy sulme terroriste ndodhën në gusht duke lënë mbi 70 persona të vdekur, në mesin e tyre edhe 13 ushtarë amerikanë që siguronin aeroportin.


Kthimi i talibanëve në pushtet po konsiderohet si kërcënim që ka përmbysur jetën e përditshme afgane. Gratë dhe vajzat që kanë pasur qasje në arsim dhe të drejtën për të punuar për 20 vite, e sidomos ato në media e muzikë tani po përballen me dhunë dhe vrasje.

Gazetarët raportojnë nga terreni se talibanët kontrollojnë me listë çdo zonë ku kanë pushtetin dhe se afganët që po ikin nga dhuna e që kryesisht janë punëtorë të administratës afgane dhe organizatave amerikane, thonë se komandantët talibanë kërkuan që fshatarët të dorëzonin gratë e pamartuara për luftëtarët e tyre.


Në anën tjetër, Talibanët po përpiqen që të legjitimojnë pushtetin e tyre përballë opinionit botëror dhe vendor. Lajm ishte edhe vendosja e flamujve të bardhë për t’i përkujtuar viktimat e 11 shtatorit në Amerikë si dhe takimi i parë zyrtar me ministrin e jashtëm të Katarit, vend ky me shumë ndikim në Afganistan.


Pra, edhe sot janë dy rrëfime që vijnë nga atje, njëri për Talibanët "e moderuar" dhe i dyti për rikthimin e regjimit të vjetër që shihet si kërcënim për rikthimin e mundshëm të celulave terroriste që kanë gjetur strehë në Afganistan.