​Gërvalla në Nju Jork takon homologun kroat
Sharr Travel

​Gërvalla në Nju Jork takon homologun kroat

Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka zhvilluar sot një takim me homologun e saj kroat Gordan Grliq Radman, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve mike.

Gërvalla ka shprehur edhe njëherë mirënjohjen e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për ndihmën e pa rezervë të autoriteteve kroate ndaj bashkatdhetarëve të lënduar dhe familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi në korrik të këtij viti në Slavonski Brod të Kroacisë.

Ajo ka nënvizuar se shkëmbimet në drejtim të proceseve që çojnë drejt integrimit euro-atlantik janë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe në këtë pikë Kroacinë e ka cilësuar si shtet nga i cili mund të merren mësime të vlefshme.

Tutje kanë diskutuar edhe mbi zhvillet rajonale duke vënë theksin në tensionimet e fundit të shkaktuara nga Serbia në rajon.

Nga ana e tij, ministri kroat Grliq Radman ritheksoi mbështetjen e plotë të Kroacisë ndaj proceseve dhe agjendës evropiane të Kosovës. 


MË SHUME NGA Aktuale