Borrell paralajmëron Malin kundër marrëveshjes me mercenarët rusë “Wagner”
BKT
Lajme

Borrell paralajmëron Malin kundër marrëveshjes me mercenarët rusë “Wagner”

Raportet e Bashkimit Evropian me Malin mund të preken seriozisht nëse ky shtet lejon që të veprojnë aty kontraktorët ushtarakë privatë rusë të grupit “Wagner”, paralajmëroi shefi i politikës së jashtme të BE Josep Borrell.

“Ne tashmë e njohim Grupin Wagner dhe mënyrën se si ata janë sjellë në pjesë të ndryshme të botës. Dhe sigurisht kjo nuk do të ndihmonte… marrëdhëniet tona me qeverinë e Mali” deklaroi Borrell.

Burime diplomatike dhe të sigurisë deklaruan për Reuters se junta ushtarake njëvjeçare e Malit është afër rekrutimit të Grupit Wagner për të furnizuar mercenarë për të trajnuar ushtrinë e Malit dhe për të mbrojtur zyrtarët e lartë.

Franca ka nisur një përpjekje diplomatike për të penguar këtë veprim. Parisi thotë se do të ishte “e papajtueshme” me një prani të vazhdueshme franceze.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian diskutuan çështjen të hënën gjatë një takimi me dyer të mbyllura, në periferi të mbledhjes vjetore të udhëheqësve botërorë për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. “Kjo sigurisht që mund të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Malin” u tha Borrell gazetarëve pas takimit.

Blloku kryesor politik i Afrikës Perëndimore, ECOWAS, si dhe aleatë të tjerë që luftojnë militantët në rajonin e Sahel, gjithashtu kanë shprehur shqetësime mbi marrëveshjen e mundshme.

Junta ushtarake e Mali ka thënë se do të mbikëqyrë një tranzicion drejt demokracisë që çon në zgjedhje në shkurt të 2022.


MË SHUME NGA Lajme