Edhe Mbrojtja e Veselit kërkon leje për apelim mbi ligjshmërinë e ZPS-së
Mbrojtja e Kadri Veselit ka parashtruar aplikimin për leje për të apeluar vendimin mbi mocionet për sfidimin e ligjshmërisë së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Dhomave të Specializuara, si dhe për pretendimin e shkeljeve të drejtave kushtetuese të caktuara të akuzuarit.
Shkresa e mbrojtjes drejtuar gjykatës titullohet “Aplikimi i Mbrojtjes së Veselit për Leje për të Apeluar Vendimin mbi Mocionin për të sfiduar juridiksionin mbi Bazën e Shkeljeve të Kushtetutës” dhe është publikuar në faqen zyrtare të kësaj gjykate.
Mbrojtja ka propozuar çështjen e mëposhtme për certifikim, në mënyrë që të apelohet vendimi në fjalë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Çështja e parashtruar nga mbrojtja është ajo se nëse gjyqtari i procedurës paraprake kur ka dështuar të marrë në parasysh nëse regjimi thelbësor juridik i gjykatës krijon pabarazi sipas ligjit në kundërshtim me nenin 44 të Kushtetutës, duke e bërë Gjykatën “të paligjshme” për qëllimet e nenit 103 (7).
Sipas mbrojtjes, çështja që parashtrojnë mund të apelohet, ndikon ndjeshëm si në zhvillimin e drejtë të procedurës ashtu edhe në rezultatin e gjykimit dhe një zgjidhje e menjëhershme nga Apeli do të avancojë materialisht procedurat.
Në fund, thuhet se mbrojtja kërkon nga gjyqtari paraprak që të miratoj aplikimin e tyre për ankesë dhe të certifikoj çështjen e propozuar.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi























